Krijimi i një fondi me mjetet e marra nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), premtim ky i kreut të Qeverisë, Albin Kurti, mund të marrë kohë deri në tri vjet.
Ndonëse Komisioni ekzekutiv për themelimin e Fondit, ka miratuar në parim koncept dokumentin për themelimin e Fondit Sovran më 26 shkurt.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri në një intervistë për Ekonomia Online tha se kjo nisëm është veç se në fazën fillestare dhe dhe duhet ende punë në përgatitjen e të gjitha hapave të themelimit.
Madje ai thotë se Qeveria mund të themelojë fonde çdo ditë e para opinionit të krijojë përshtypje të mira, por që sipas tij, nuk ka shkop magjik që t’i mbush ato me mjete.
Shatri përdor edhe një fjalë të urtë popullore kur flet për nisma të tilla të Qeverisë duke thënë se “…edhe 1 000 mijë fonde me i themeluar veç çka mundemi me i qit kryp syve njerëzve, kishe po bëjmë diçka”.
“Qeveria e ka aprovuar një koncept dokument me të cilën i çelet rruga themelimit të një fondi që po quhet Fondi Sovran, për zhvillim ekonomik. Kjo punë që po shihet është në fazën fillestare sepse koncept-dokumenti veç e hap rrugën, strukturave përkatëse që të punojnë me përgatit dokumentet që nevojiten për me u themeluar një fond çfarë po pretendon Qeveria”.
“Sa do që të themelojmë fonde, ne mund të themelojmë fonde për ditë edhe teorikisht para opinionit krijojmë përshtypje që po bëjmë diçka, po nuk ka shkop magjik që ato fonde i mbush me para. Kemi shumë pak aftësi akumuluese për me nda për investime, prandaj edhe 1 000 mijë fonde me i themeluar veç çka mundemi me i qit kryp syve njerëzve, kishe po bëjmë diçka”.
Ish-ministri thotë se themelimi i fondit merr kohë afro dy vjet dhe se nuk pa filluar punën nuk dihet se a do të ketë sukses.
“Kjo merr kohë, e para do të thotë duhet një procedurë legjislative, Qeveria, vendimi, me dërguar në Kuvend, leximi parë, leximi dytë në variantin më të mirë një vit, prej kësaj faze që është tash, prej koncept dokumentit në rrugë normale”, raporton Ekonomia Online.
“Pas miratimit të ligjit janë aktet nën ligjore, shpallja e konkurseve, me i zgjedh njerëzit, procedura ekipe edhe aty disa ditë. Pastaj deri të fillon me vepruar, të paktën janë dy vjet ku i merr kjo punë. Edhe atëherë te shohim a mund të ketë ndonjë sukses”.
Përderisa Naim Jakaj nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, thotë se funksionalizmi mund të ndodh veç pas 3 vjetësh, me një kapital fillestar prej jo më pak se 20 milionë euro.
“Ky proces deri te themelimi ose deri te nisja e punës i merr maksimumi deri në 2-3 vite për ta nisur ashtu siç ke në koncept-dokumentin i cili parashihte që me nis me një kapital fillestar prej jo më pak se 20 milionë euro “.
Ndonëse është paraqitur si shpresë për ekonominë e vendit, Jakaj thotë se duhet të analizohen rreziqet që bart krijimi i këtij fondi, duke mos përjashtuar edhe punëtorët e ndërmarrjeve, raporton EO.
“Fondi Sovran është paraqit si shpresë për ekonominë, por që duhet me i analizuar mirë rreziqet që i bart ky entitet i ardhshëm. Nëse e shihni dokumentin e propozuar Qeveria ka llogaritur në fondin e grumbulluar prej privatizimit, prej procesit të privatizimit që do t’i kalojë si asete në këtë fond. Por duhet me pas parasysh që një proces i tillë e bart një rrezik tjetër të goditjeve juridike që mundet me i pas Qeveria për shkak të kreditorëve të mundshëm. Pastaj llogaritjet janë edhe tek mbetjet fiskale të Qeverisë edhe nga përfitimet e ndërmarrjeve publike përmes dividentës, të KEK-ut, të Trepçës, të Postës, të Telekomit, të Trajnkosit, të Infrakosit edhe përmes emetimit dhe tregtimit të letrave me vlerë”.
“Duhet me i marr parasysh që gjatë procesit të ristrukturimit të ketë kujdes për punëtorët aktual të ndërmarrjeve sidomos t’i përfshijë sindikatat e tyre në proces të ristrukturimit po edhe kur të transferohen asetet në kuadër të këtij fondi me ligj”, raporton EO.