Dokumentet e “Football Leaks” të publikuara nga “Der Spiegel” kanë treguar se si Interi ka arritur t’i shpëtojë pagimit të një shume të majme te Bayern Muencheni për Xherdan Shaqirin, duke e bllokuar mesfushorin shqiptar.
Interi e huazoi Shaqirin falas në janar të vitit 2015, me opsion për të blerë atë në verë, opsion që do të bëhej i obligueshëm nëse plotësoheshin disa kritere të caktuara, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në klauzola në kontratën e huazimit citohej se Interi duhej t’i paguante Bayern Muenchenit 15 milionë euro nëse Shaqiri do të luante një ndeshje miqësore apo zyrtare nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të vitit 2015.
Një klauzolë tjetër thoshte se Interi duhet të paguajë 15 milionë euro për Bayernin edhe nëse Shaqiri nuk paraqitej në asnjë ndeshje për shkak të lëndimit apo suspendimit. E klauzola tjetër citonte se Interi është i obliguar të blejë Shaqirin nëse deri më 31 dhjetor skuadra gjendet në Top 17 të Serie A, pra në zonë të sigurt.
Kur erdhi te vera e vitit 2015, Interi “humbi” besimin te Shaqiri, por duhej t’i paguante Bayernit 15 milionë euro deri më 31 dhjetor. Kështu që bëri një zgjidhje të shpejtë të situatës dhe e shiti atë te Stoke City për 14.5 milionë euro, më 11 gusht.