Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës kanë parakaluar nëpër sheshet e Prishtinës, për nderë të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Për të shikuar këtë parakalim kanë dalë një numër i madh i qytetarëve, sikur shihet dhe në pamjet e Ekonomia Online.
Thaçi: Jam i vendosur që Kosovën ta bëjmë me ushtri
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij me rastin e parakalimit të kuadrateve të FSK-së dhe të PK-së, tha se Kosova do të të bëhet me ushtri.
“Jemi bashkuar sot, në këtë shesh të Prishtinës, për të shënuar dhjetëvjetorin e krijimit të shtetit të Kosovës. Bërja e këtij shteti dhe çlirimi i Kosovës, na pati bashkuar për gati një shekull të plotë. Breza të tërë, të cilët flijuan gjithçka që ne të gjithë, si qytetarë të këtij vendi, të bëjmë realitet me 17 shkurt 2008, shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran” ” u shpreh Thaçi, raporton Ekonomia Online.
“Rrugëtimi ynë drejt lirisë dhe pavarësisë, ka qenë i vështirë, i mundimshëm, me shumë tragjedi, por edhe shumë heroik! Këtë rrugëtim dhe sakrificën tonën, ne kurrë nuk duhet ta harrojmë! Ne të gjithë jemi qytetarë krenarë të shtetit të Kosovës”.
“Pas pak, ne do të mirëpresim parakalimin e trupave të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Herën e fundit kur kishim një parakalim të tillë të FSK-së, ishte para katër vitesh, apo, me 17 shkurt të vitit 2014. Asokohe, ishin dy arsye që u nderuam, të gjithë ne, si zyrtarë dhe si politikanë të Kosovës, nga pjesëtarët e FSK-së. Në njërën anë, shënonim gjashtëvjetorin e shtetit të Kosovës, ndërsa në anën tjetër, FSK i kishte kryer të gjitha përgatitjet e duhura për tu transformuar në Forcat e Armatosura të Kosova”.
“Fatkeqësisht, ne si politikë e Kosovës nuk ishim asokohe në gjendje që t’i përcjellim si duhet, në hap, Forcat e Armatosura të Kosovës. Por tani gjërat kanë ndryshuar në Kosovë. Si president i Republikës së Kosovës, jam i vendosur që shtetin e Kosovës, ta bëjmë me Ushtrinë e tij dhe atë sa më shpejt që është e mundur”, theksoi Thaçi.
“FSK- me të gjitha efektivat e saj, tash e sa kohë, në të vërtetë, ushtrohet, përgatitet, punon dhe vepron, si një ushtri e mirëfilltë e një shteti. Forcat e Sigurisë së Kosovës janë dhe do të mbeten njëra prej vlerave më supreme të këtij shteti dhe vlerave më sublime të këtij vendi. Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë në radhët e veta djemtë dhe vajzat më të mira të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”.
Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës, sipas Thaçit, janë më të mirat në rajon, janë fuqia e shtetit të Kosovës dhe garancia më e mirë e sigurisë, e stabilitetit dhe e qëndrueshmërisë së Republikës së Kosovës.
“Prandaj momenti i shumëpritur, i zyrtarizmit të ushtrisë sonë, është duke trokitur në derën e hapur. Partnerët tanë strategjikë dhe NATO e përkrahin plotësisht këtë proces të ushtrisë së Kosovës sepse ajo do të jetë vetëm një vlerë tjetër e shtuar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë”.