Forcat tokësore të Japonisë mbajnë ushtrime për herë të parë pas disa dekadave

Prishtinë | 23 Tet 2021 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Për herë të parë pas gati 30 viteve, Forcat Tokësore Japoneze të Vetëmbrojtjes po zhvillojnë ushtrime masive ushtarake mbarëkombëtare për t’u përgatitur për ndonjë konflikt të mundshëm.

Që nga mesi i shtatorit, rreth 100.000 anëtarë të personelit, 20.000 automjete e 120 mjete fluturuese janë ëprfshirë në ushtrime të ndryshme në mbarë vendin, të përqendruara në gatishmërinë operacionale, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Ky ushtrim i Forcës Tokësore Vetëmbrojtëse është vërtet i përqendruar në përmirësimin e efikasitetit operacional, në aftësitë e parandalimit dhe reagimit”, tha Koloneli Noriko Yokota, zëdhënës i këtyre forcave.

“Secila njësi po kryen ushtrime me synim drejt asaj që është e nevojshme për ta arritur këtë qëllim. Ato po e përgatitin veten në mënyrë që të mund të përgjigjen me vetëbesim, kur detyrohen të ndërmarrin masa të mëtejme”, shtoi ai.

Tensionet në rajon janë rritur kohëve të fundit. Këtë javë, Koreja Veriore tha se ka testuar me sukses një raketë të re balistike të hedhur nga nëndetësja, që ra në Detin e Japonisë. Më në jug, Kina e ka shtuar trysninë ndaj Tajvanit duke dërguar aeroplanë ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të ishullit.

Pa përmendur ndonjë shtet me emër, zyrtarët e forcave tokësore japoneze thonë se fuqitë rajonale kanë vullnet për ta ndryshuar status quo-në me forcë dhe se një shtet në veçanti po vazhdon të zhvillojë armë bërthamore e raketa dhe po e sfidon sistemin e moszhvillimit të armëve.

“Mjedisi i tanishëm i sigurisë përreth Japonisë është jashtëzakonisht i ashpër. Neve, Forcat e Vetëmbrojtjes, na kërkohet që ta forcojmë efikasitetin e operacioneve”, tha Gjenerali Yuichi Togashi, komandant i Divizionit të Dytë.

Të ngjashme