Forcës së Sigurisë së Kosovës sot i janë shtuar edhe 190 rekrutë të rinj

Prishtinë | 24 Dhj 2021 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, sot u mbajt ceremonia e betimit të 190 rekrutëve të rinj të FSK-së. Ata u betuan solemnisht në prani të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zyrtarëve vendorë e ndërkombëtarë si dhe familjarëve të tyre. Pas intonimit të himnit shtetëror, Presidentja Osmani-Sadriu tha se me rekrutimin e këtyre rekrutëve FSK përmbyllë një vit jashtëzakonisht të suksesshëm të angazhimit dhe të rritjes së Forcës gjithnjë konfrom standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive moderne.

“Secila ditë e certifikimit të ri është e veçantë për ushtrinë dhe për shtetin tonë sepse krahas rritjes së kapacitetit, FSK po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të procesit të tranzicionit”, tha me këtë rast Presidentja Osmani-Sadriu.

Ndërsa, Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes e vlerësojnë mbrojtjen dhe sigurinë si shtyllë jetike të shtetit tonë. Ai theksoi se do të vazhdojë të mbështesë FSK-në dhe që përkrah aleatëve tonë strategjikë, Shteteve të e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të NATO-s ta modernizojmë forcën dhe ta bëjnë operacionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere.

Në fund të kësaj ceremonie, Komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjenerabrigade Irfete Spahiu i uroi rekrutët për suksesin e dëshmuar gjatë trajnimit si dhe shprehu besimin për shërbim dhe karrierë të suksesshme në uniformën e FSK-së.

Certifikimi i 190 ushtarëve të rinj është proces në kuadër të ngritjes dhe zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të nevojshme operacionale, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së.

Të ngjashme