Është përmbyllur programi pesëvjeçar për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në Kosovë, i zbatuar nga FAO dhe i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë. Ceremonia përmbyllëse mblodhi përfaqësues institucionalë, partnerë ndërkombëtarë dhe akterë të sektorit të pylltarisë, të cilët vlerësuan arritjet dhe ndikimin e programit në ruajtjen e burimeve natyrore dhe zhvillimin e zonave rurale, raporton Ekonomia Online.
Gjatë fjalës së saj, përfaqësuesja e FAO-s, Daniela Mangione, theksoi se programi ka kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e koordinimit institucional, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe përfshirjen aktive të komuniteteve rurale. Ajo nënvizoi se mbi 500 individë kanë përfituar drejtpërdrejt nga projektet, ndërsa barazia gjinore dhe ndërgjegjësimi mjedisor kanë qenë në qendër të ndërhyrjeve.
“Sot po e përmbyllim programin dhe kjo ceremoni shërben si reflektim për arritjet e tij dhe përfitimet që u janë lënë komuniteteve gjatë këtyre pesë viteve. Pylltaria ka qenë synim i përbashkët drejt një menaxhimi të qëndrueshëm për ruajtjen e burimeve natyrore. Programi ka përmirësuar koordinimin institucional dhe ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e sektorit të pylltarisë…Mbi 500 individë kanë përfituar nga projektet. Fokus i veçantë i është kushtuar barazisë gjinore në pylltari. Programi ka nxitur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit, mirëqenien ekonomike dhe ka organizuar kampe pyjore ku pyjet janë vendosur në qendër të vëmendjes. Trashëgimia e programit përfshin politika, pajisje dhe kapacitete të reja për përballimin e ndryshimeve klimatike”, tha ajo.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Imri Demelezi, derisa tregon për projektin, nënvizon edhe se në aspektin operacional janë siguruar pajisje për monitorimin e pyjeve, automjete dhe dronë.
““Falë këtij projekti që po përfundon sot, besoj që edhe më saktë në ditët në vazhdim do të dimë dhe përqindjet e sektorit të tillë në Kosovë por të dimë saktësisht të dimë me çka kemi të bëjmë dhe të përdorim ato informata që na ka ofru ky projekt dhe program…Ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillim e Pylltarisë në KOSOVË. Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për menaxhimin pyjeve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. gjatë viteve të fundit përmes forcimit të bazës ligjore, institucioneve, rritjes së investimeve në sektorin pyjor ka shënuar një përparim të dukshme përpos punës së pandërprerë që është bërë nga Qeveria në këtë sektor. Që luan një rol të veçantë në këtë proces”, tha ai.
Demelezi tregoi edhe çka përfitoi APK nga ky bashkëpunim.
“Ky projekt, i financuar nga BE, shteti mik Suedia dhe i zbatuar nga FAO në bashkëpunim të ngushtë me institucionet tona, përbën një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në funksion të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore dhe përmirësimit të jetës në zonat rurale. Në aspektin operacional, APK ka përfituar pajisje moderne dhe teknologji të avancuar në mbrojtjen dhe monitorimin e pyjeve, përfshirë 14 vetura terreni, dronë, GPS dhe të tjera, duke rritur kapacitetin në monitorim dhe siguri. Po ashtu, janë krijuar edhe gjashtë njësitë pilot emergjente për menaxhimin e integruar të zjarreve në pyje në gjashtë rajone të Kosovës, duke rritur ndjeshëm gatishmërinë dhe koordinimin ndërinstitucional. Rezultati i këtij programi do të ketë ndikim afatgjatë në menaxhimin e pyjeve, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve që varen nga këto burime”, tregoi Demelezi.
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Eva Palatova, vlerësoi rolin esencial të pyjeve në ruajtjen e ekosistemeve dhe stabilitetin ekonomik, duke theksuar se ky program ka krijuar një bazë të qëndrueshme për menaxhimin afatgjatë të pyjeve në Kosovë, përmes bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe ekspertëve ndërkombëtarë.
“Kam kënaqësinë që, në emër të zyrës, të shënojmë përmbylljen e programit të pylltarisë të mbështetur nga Ambasada e Suedisë dhe Bashkimi Evropian për ruajtjen e pyjeve në Kosovë, me fokus në mbrojtjen e resurseve natyrore. Bashkimi Evropian ndan të njëjtën strategji për rolin esencial të pyjeve dhe kontributin e pylltarëve në ruajtjen e ekosistemeve. Gjatë qëndrimit tim në Kosovë jam frymëzuar nga bukuria e pyjeve, pasi ato janë më shumë sesa burim natyror — ato kontribuojnë në stabilitetin ekonomik dhe mjedisor. Kosova mbështetet shumë në pyjet e saj dhe përmes këtij programi janë përmirësuar praktikat e menaxhimit të qëndrueshëm dhe janë rritur kapacitetet institucionale falë bashkëpunimit mes institucioneve lokale dhe ekspertëve. Qendra e Blinajës ka krijuar kapacitete për trajnimin e profesionistëve të ardhshëm, ndërsa pajisjet e ofruara do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të punës dhe në arritjen e një menaxhimi të qëndrueshëm të pyjeve”, deklaroi Palatova.
Ndërkohë, ambasadori i Suedisë, Jonas Ëesterlund, potencoi se pyjet e Kosovës janë një aset strategjik kombëtar dhe një faktor kyç për tranzicionin e gjelbër. Ai theksoi se gjatë projektit janë mbështetur reformat ligjore, është përmirësuar sistemi informativ pyjor dhe është funksionalizuar qendra trajnuese në Blinajë, duke e cilësuar programin si një histori suksesi të bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Kosova është e mbuluar rreth 45% me pyje, ndërsa Suedia 47%, dhe ne jemi krenarë për këtë ngjashmëri. Sot po shënojmë përmbylljen e një projekti që ka forcuar menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, të zbatuar nga FAO dhe të financuar nga BE dhe Suedia. Pyjet e Kosovës janë një aset strategjik kombëtar dhe kanë rëndësi të madhe për tranzicionin e gjelbër. Në Suedi, mirëqenia e shtetit është ndërtuar mbi bazën e sektorit pyjor. Ky sektor është shumë i rëndësishëm edhe për Kosovën. Gjatë projektit janë mbështetur ligji i ri dhe legjislacioni sekondar, është rishikuar sistemi informatik dhe është pilotuar në Prizren. Janë finalizuar plane për katër zona pilot, qendra e Blinajës është bërë funksionale dhe kampet pyjore kanë rezultuar të suksesshme. Ne besojmë se Kosova do të vazhdojë me punësimin e stafit profesional dhe trajnime të vazhdueshme, gjë që ua rekomandojmë edhe partnerëve tanë”, theksoi ai.
Mendresa Ibra nga Agjencia Pyjore e Kosovës theksoi se projekti ka sjellë përmirësime konkrete në aspektin operacional, përfshirë pajisje moderne për monitorimin e pyjeve, automjete, dronë dhe trajnime të specializuara për stafin profesional.
“Dëshiroj të theksoj rëndësinë e këtij projekti për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe përmirësimin e jetës në zonat rurale. Gjatë periudhës pesëvjeçare janë arritur rezultate të shumta, veçanërisht në rritjen e kapaciteteve të stafit përmes trajnimeve nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Janë siguruar pajisje teknologjike si dronë, automjete, pajisje kundër zjarreve dhe mjete për matjen e pyjeve. Qendra multifunksionale në Blinajë është funksionalizuar, janë organizuar kampe pyjore dhe janë punësuar 13 ekspertë të rinj nga Universiteti i Prizrenit. Programi ka adresuar gjithashtu sfidat e ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e pyjeve nga zjarret dhe prerjet ilegale, si dhe ka ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve institucionale për menaxhim të integruar dhe të qëndrueshëm të burimeve pyjore”, tha ai.
Me përmbylljen e këtij programi, partnerët shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen, me synim ruajtjen e pyjeve, forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e jetës në zonat rurale të Kosovës.





