Kanë mbetur edhe disa orë deri te ndeshja Bullgari – Kosovë.
Pas barazimit 1-1 me Malin e Zi në Podgoricë, Kosova do të kërkojë pikët e plota në Sofje kundër Bullgarisë, sfidë e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2020.
Trajneri i “Dardanëve”, Bernard Challandes, do të ketë punë të vështirë për të bërë 11-shen që do të zbresë nga ora 20:45 në stadiumin “Vasil Levski”.
Pas Herolind Shalës, Hekuran Kryeziut dhe Valon Berishës – që të tre futbollistë startues te Kosova, do të mungojë edhe Arbër Zeneli, i cili u lëndua kundër Malit të Zi dhe për këtë, Challandes do të mundohet të arnojë ekipin.
Raportohet se për dallim nga ndeshja e kaluar, në mbrojtje pritet të ketë një ndryshim.
Aro Muric pritet të jetë në portë, kurse Benjamin Kololli pritet të zërë vend e Leart Paqaradës, derisa Fidan Aliti dhe Amir Rrahmani (kapiten) pritet të startojnë në qendër të mbrojtjes me Mërgim Vojvodën si mbrojtës i djathtë.
Mesfusha, që është problemi kryesor i Kosovës në këto ndeshje – pritet sërish të mbulohet me Vocan dhe Besar Halimin, derisa vendin në formacion e kanë pothuajse të sigurt edhe Bersant Celina, Milot Rashica dhe Vedat Muriqi.
Dilema e madhe e Barnard Challandes është mes Edon Zhegrovës dhe Florent Hadërgjonajt.
Trajneri 67-vjeçar mund ta inkuadrojë nga fillimi Hadërgjonajn, në mesfushë së bashku me Vocan e Halimin, pasi i shumë shpesh ka luajtur edhe si mesfushor në Angli te Huddersfield, derisa treshja sulmuese atëherë do të ishte Celina-Muriqi-Rashica.
Sido që të jetë, mbetet të shihet një orë para sfidës se me çfarë formacioni do të nisë sfidën Kosovës, përcjell Express.
Formacioni i mundshëm:
KOSOVA: Muric, Kololli, Aliti, Rrahmani, Vojvoda, Voca, Halimi, Celina, Hadërgjonaj (Zhegrova), Rashica dhe Vedat Muriqi.