Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë̈ (ZRrE) për vitin 2019. Në këtë mbledhje, është marrë vendimi që të formohet Grupi i Punës për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit”, në përbërje nga një anëtar nga secili grup parlamentar, të cilët janë pjesë e këtij komisioni.
Në vazhdim të kësaj mbledhje, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Arsim Janova, ka prezantuar raportin e këtij institucioni për vitin 2019.
Arsim Janova, ushtrues detyre i Kryesuesit të Bordit të ZRrE-së para anëtarëve të komisionit prezantoi raportin. Sipas tij në vitin 2019 janë lëshuar 4 licenca për prodhim të energjisë, 4 të tjera për furnizim dhe 22 autorizime preliminare për leje solare.
“Raporti vjetori i ZRE-përfshinë aktivitetet dhe të arriturat e ZRrE-së dhe raportin financiar. Sa i përket licencimit të ndërmarrjeve janë lëshuar 4 licenca për prodhim të energjisë dhe 4 për furnizim të energjisë, 22 autorizime preliminare për energji solare. Kurse 3 aplikacione janë në proces të shqyrtimit”, tha Janova. Ai po ashtu ka njoftuar se janë lëshuar 20 vendime për ndërtim të gjeneratorëve dhe janë pranuar 75 ankesa nga konsumatorët.
Më tutje Janova tha se prodhimi i energjisë për vitin 2019 ka qenë 570 giga vat orë dhe ka pasur rritje në eksport për 11.2%”.
“Prodhimi i energjisë 570 gigavat orë, eksporti 905 gigavat rritje për 11.2 %. Humbjet në rrjet janë mjaft të larta nga konsumi 13.04 %. Furnizimi i konsumatorëve, 57% familjarët dhe të tjerë. Tarifat 6.68 euro në cent për familjarë dhe jo familjarë 7.83 cent për rregullatorë”, tha ai.
Ai tha se janë shpenzuar 600 mijë euro nga ZRrE-ja. “Sa i përket projektit të koogjenerimit Termokosi 2019 ka vazhduar me procesin e rrjetit të shpërndarjes dhe ndërtimin e nënstacioneve të reja. 600 000 janë shpenzuar nga ZRrE-ja” tha Janova.
Kurse, kryesuesi i komisionit Endrit Shala kërkoi detaje për raportin për operatorët të cilët aplikojnë për licencë.
“Pika 17. Tabela 3.1 janë paraqitur ndërmarrjet e licencuara që u është vazhduar licenca apo janë në proces? A ka sfida nga të licencuarit? Si është duke shkuar dinamika? A ka ndërmarrje që ka aplikuar për licencë dhe është refuzu nëse po cila është arsyeja e refuzimit të ZRE-së?”, ka pyetur Shala.
Ai ka pyetur se pse një operatorë i cili është licencuar gjatë vitit 2019 nuk ka hyrë ende në treg.
“Gjatë vitit 2019 është licencuar një licencues dhe ende nuk është hyrë në treg. Ku janë pengesat që këto ndërmarrje nuk po mund ta fillojnë punën. Burimet e ripërtërishme… a janë arritur caqet për kapacitet? A jemi në hap t’i marrim në vitin 2020, 25% e konsumit nga burimet e ripërtërishme”, ka pyetur ai.
Petrit Pepaj drejtor i ZRrE-së, tha se kanë lëshuar licencë 1 vjeçare pasi lejet mjedisore i lëshon Ministria e Ambientit.
Ai tha se nuk kanë përmbushur kërkesat e konsumatorëve për furnizim 24 orës dhe nuk janë përmbushur edhe caqet për prodhim të energjisë nga energjia e ripërtërishme, dhe është prodhuar energji për vitin 2019, vetëm 8-9%.
“Hidroenergjia, kërkohet që të pajiset me licencë. Rregullatori ka lëshuar leje vetëm për një vit, leje mjedisore nga Ministria së Ambientit. Në bazë të takimeve ata i nënshtrohen sfidave të ndryshme. Nuk mund të mburremi se ka pasur furnizim 24 orë të qytetarëve. Caqet ende nuk janë arritur, 8 apo 9% e janë nga energjia e ripërtërishme. Në energji solare nuk ka pasur zhvillim pasi çmimet nuk kanë qenë të favorshme krahasim me vendet e rajonit. Duhet ndryshime ligjore për ndryshimin e mundshëm të tarifave përmes ligjit e jo më përmes udhëzimeve administrative” tha Pepaj.
Ndërsa, Doruntina Maloku e LDK-së, kërkoi sqarime se pse nuk është e publikuar në ëeb faqe të ZReE-së kontratat me operatorë.
“Pse nuk i bën publike ZRE-ja kontratat me operatorët?, tha Maloku.
Asaj iu përgjigj Petrit Pepaj ku tha se marrëveshjet janë të publikuara dhe janë transparente.
“Marrëveshjet nuk janë të fshehura, janë shumë trasparente dhe janë të publikuara në raport” tha Pepaj.
Mimoza Kusari-Lila kërkoi sqarime për lejet e përkohshme për prodhuesit e energjisë së ripërtërishme.
“Në raport me lejet e përkohshme tek rrezikohet mosvazhdimi i licencës. Cilat janë mundësitë që të ndalet në tërësi lëshimi i përkohshëm i lejeve mjedisore?”, tha Kusari-Lila.
Petrit Pepaj iu përgjigj duke sqaruar se vendimin final për prodhuesit e energjisë së ripërtërishme dhe lejet e mjedisore, janë kompetencë e Ministrisë së Ambientit.
“Burimet e ripërtërishme prej fazës së fillimit deri në përfundim… në momentin kur lëshohet vendimi final nënkupton që operatori i ka përmbushur kushtet teknike dhe juridike. Në fund kërkohet leja mjedisore” , tha Pepaj.
Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe formimi i komisionit shqyrtues të autoritetit rregullatorë të ujit për shpalljen e konkursit për këtë post.
Endrit Shala kryesues propozoi që të formohet një grup punues nga komisioni për Ekonomi për fillimin e procedurave të këtij komisioni.
“Ne duhet të themelojmë një grup të punës i cili të mblidhet qysh sot pas mbledhjes ose para mbledhjes së radhës, para të enjtes dhe t’i prezantojë një raport komisionit. Sekretariati do të formojë kriteret për anëtarët që konkurrojnë për këtë post dhe komisionit shqyrtues të autoritetit rregullator të ujit. Ky komision të pasqyrojë përbërjen politike të këtij komisioni dhe përbërjen gjinore, partitë të kenë nga një anëtarë në këtë komision”, tha ai.