Kryesia e Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me rastin e 28-vjetorit të themelimit, ka bërë homazhe te varri i presidentit, Ibrahim Rugova. Më pas ato kanë vizituar edhe familjen Rugova.
Mevlude Mizini -Saraçi, anëtare e Forumit të Gruas së LDK-së, tha se së bashku me themeluese e veprimtare të LDK-së janë duke nderuar veprën e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Ajo tha se janë falënderuese ndaj presidentit Rugova për punën e bërë për Kosovën por edhe për njohjen që i ka bërë sakrificës së gruas shqiptare.
“Jemi mbledhur këtu kryesia e forumit të gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës të kryesuar nga kryetarja Lirie Kajtazi njëherësh edhe deputete e parlamentit të Kosovës. Në mesin tonë ka themeluese dhe veprimtare të të gjitha gjeneratave. Kemi ardhur sot këtu t`i bëjmë homazhe presidentit të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova me rastin e datës së 7 marsit, ditës së mësuesit, ditës së themelimit të forumit të gruas që sot shënon 20-vjetorin e themelimit dhe në vigjilje të 8 marsit ditës ndërkombëtare të gruas”, tha ajo.
“Jemi këtu për tu përkulur para varrit të presidentit dhe për t`i thënë faleminderit zotëri president për gjithë çka bëre për Kosovën, faleminderit që gjithmonë e njohe punën dhe sakrificën e gruas shqiptare”.
Gjithashtu kryesia e Forumit të Gruas së LDK-së ka bërë nderime te Memoriali “Heroinat” në qendër të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.