Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo lavdëroi këtë të martë valën e “përçarjes” në politikën globale, duke cituar këtu Donald Trumpin dhe “Brexit”-in, por duke drejtuar gishtin edhe te zgjdhjet në Francë dhe Malajzi.
Në adresimin e tij përpara elitës botërore të biznesit, në resortin zviceran të Davosit, Pompeo ripërsëriti kritikat e Trumpit mbi institucionet ndërkombëtare, por edhe thirrjet e presidentit amerikan për “kufij të përforcuar” për të mbrojtur sovranitetin kombëtar.
“Erëra të reja po fryjnë në mbarë globin”, tha Pompeo përmes një videoje për të pranishmit në Forumin Ekonomik Botëror, kjo për shkak se udhëtimi i tij u anulua në vazhdën e bllokadës së vazhdueshme të qeverisë federale në SHBA. “Do ta quaja këtë përçarje si një zhvillim pozitiv”, tha më tej ai.
Në vitet e fundit, sipas Pompeos, votuesit kanë tronditur politikanë dhe aleanca politike, që sipas tyre nuk po përfaqësojnë më interesat e tyre.
Ai citoi zgjedhjen e Trumpit në vitin 2016, si dhe referendumin në Britani për t’u shkëputur nga Bashkimi Europian, ngjarje këto që vërtet tronditën elitat, sikurse edhe triumfet më të fundit zgjedhore nga “Lëvizja 5 yjet” në Itali, apo të presidentit të ekstremit të djathtë në Brazil, Jair Bolsonaro, që iu adresua më herët Forumit në Davos, këtë të martë.
Por, ajo që bëri më shumë habi ishte vënia në dukje nga ana e Pompeos e zgjedhjeve të vitit 2017 në Francë, ku Emmanuel Macron mori çelësat e Elizesë, një politikan i qendrës që doli jashtë sistemit të partisë së tij, por që kohët e fundit po has vështirësi nga protestat e të ashtuquajturve “jelekverdhët”, duke thënë për të se nuk është edhe aq shumë në kontakt me shqetësimet ekonomike të popullit.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Davosi, Pompeo pranoi se kritikat e Trumpit ndaj instituticioneve ndërkombëtare ka trazuar puplat, megjithatë ai mohoi se Shtetet e Bashkuara të jenë izoluar më shumë nën drejtimin e tij.