Pompeo i kërkon SHBA-së të ndihmojë tajvanezët të përgatiten për t’u mbrojtur tani

Prishtinë | 14 Mar 2022 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në një intervistë për Fox News, të dielën, paralajmëroi se rreziku i agresionit kinez ndaj Tajvanit do të jetë më i madh nëse Uashingtoni nuk e ndihmon vendin të mbrohet.

Duke u paraqitur në “Sunday Morning Futures” në kanalin Fox News, Pompeo tha se Kina po vëzhgon se si SHBA-ja po e trajton luftën e vazhdueshme në Ukrainë. Ai pohoi se nëse Uashingtoni nuk i ndihmon tajvanezët të përgatiten për të mbrojtur vendin e tyre, “kjo vetëm do të inkurajojë” liderin kinez, Xi Jinping.

Pompeo kritikoi administratën e Bidenit se çdo hap ishte “shumë i vonë, shumë i ngadaltë, shumë i vogël” në lidhje me mbrojtjen e Ukrainës. Ai e përshkroi dobësinë e dukshme dhe ngadalësinë e Bidenit për t’u përgjigjur si “provokuese”.

Më pas ai foli rreth Tajvanit, duke ripohuar besimin e tij se SHBA-ja duhet të njohë pavarësinë e Tajvanit. “Të gjithë e dinë se tajvanezët nuk kanë qenë kurrë pjesë e Kinës kontinentale, e Kinës komuniste. Dhe ata nuk duan të jenë,” shtoi ai.

Pompeo argumentoi se SHBA-ja nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim për të vonuar mbështetjen për Tajvanin. “Ne duhet të bëjmë gjërat që nuk arritëm t’i bënim verën e kaluar për popullin ukrainas”.

Pompeo tha se tajvanezët janë të gatshëm të mbrojnë veten, por ata gjithashtu do të kenë nevojë për ndihmë – jo vetëm nga Uashingtoni, por edhe nga aleatët e tjerë të SHBA-së në rajon, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë. Ai shtoi se vendet e Azisë Juglindore janë gjithashtu të shqetësuara dhe e dinë se Kina po i vëzhgon shenjat e dobësisë amerikane në botë.

Pompeo kritikoi gjithashtu administratën Biden për mënyrën e tërheqjes së forcave amerikane nga Afganistani.

Kjo ishte intervista e parë e Pompeos që nga vizita e tij e fundit në Tajvan, ku ai u nderua me Urdhrin e Yllit të Shkëlqyer nga presidentja Tsai Ing-wen për shërbimet e tij në marrëdhëniet SHBA-Tajvan.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme