Të mërkurën, Oda e Minierave të Kosovës ka mbajtur Forumin e Minierave në Kosovë, forumi i parë i tillë në vend, raporton Ekonomia Online.
Qëllimi i këtij forumi, siç tha drejtori ekzekutiv i Odës, Mentor Demi, është që palët e ndryshme të interesit të mblidhen dhe të diskutojnë për sfidat dhe mundësitë e sektorit mineral.
Ai ka theksuar se në Forum do të shtjellohen tema të ndryshme që kanë të bëjnë me industrinë minerale.
Tutje, Demi ka bërë të ditur se Oda do ta themelojë edhe Shoqatën e Shkencëtarëve.
“Ndonëse jemi shoqatë e sapoformuar, ne menjëherë kemi marrë iniciativën për të bë diçka në hapjen e diskutimeve për mundësitë e zhvillimit të sektorit mineral. Prandaj, afrimi i të gjitha palëve, ka qenë një ndër metodat më të arsyeshme për ne”.
“Qëllimin kryesor e kemi promovimin. Jemi duke punuar që të krijojmë edhe shoqatën e shkencëtarëve. Shpresoj se ky forum do të jetë vetëm nisje për zhvillimin e shtyllave të rëndësishme të vendit tonë”, ka thënë Demi.
Ndërsa, Mentor Arifaj, zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka thënë se Ministria është e përkushtuar në zhvillimin e industrisë minerale.
Ai ka thënë se MINT ka aprovuar edhe Strategjinë për Industrinë 2030, ku prodhimi i resurseve natyrale dhe mineraleve është në mesin e objektivave.
“Sektorët që janë te lidhur me ketë industri kanë nevojë të diskutojnë për tema të tilla në sektorin mineral. Si Qeveri jemi të fokusuar se si mund t’i shfrytëzojmë mineralet. MINT ka aprovuar Strategjinë për Industrinë 2030, në mesin e objektiva strategjike është rritja e vlerës së shtuar të resurseve natyrale dhe mineraleve. Jemi të fokusuar në ngritjen e performancës në këtë sektor”.
“Është e nevojshme që të kemi jo vetëm digjitalizim e modernizim të kësaj industrie, por edhe zhvillimin e industrive relevante që ndërlidhen me këtë sektor”, ka potencuar Arifaj, raporton EO.