Forumi për Lidership dhe Universiteti i Prishtinës firmosin memorandum mirëkuptimi

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Forumi për Lidership dhe Diplomaci dhe universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi me qëllim të promovimit të bashkëpunimit edukativo-kulturor në fushën e arsimit, duke u ofruar studentëve mundësi për pjesëmarrje në trajnime për lidership për ngritjen e mëtutjeshme profesionale me anë të aktiviteteve të edukimit joformal.

Krahas mundësive për pjesëmarrje në trajnime për studentët e të gjitha njësive akademike të UP-së, Njomza Emini, Drejtore Ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, si dhe rektori i UP-së u dakorduan për ofrimin e mundësisë së punës praktike me pagesë për studente e UP-së, varësisht nga zhvillimi i programit dhe mundësive të forumit në vazhdim.

“Nënshkrimi i këtij memorandumi dëshmon përkushtimin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për mbështetjen e grave lidere dhe ofrimin e mundësive për ngritje të mëtutjeshme profesionale. Takimet e mëhershme me rektorin u materializuan sot përmes këtij memorandum që do hap edhe një horizont të ri për studentet”, tha Emini.

“Të gjithë e dimë se bota ka mungesë të madhe të lidershipit e në veçanti Kosova, por në kuadër të saj na mungojnë gratë lidere, prandaj unë mendoj se ky projekt do ta plotësoj këtë boshllëk. Njëkohësisht do ta fuqizoj Qendrën për Zhvillimin e Karrierës e cila është duke bërë një punë shumë të madhe për t’iu ofruar ndihmë studenteve që njohuritë e tyre t’i avancojnë që nesër të jenë lidere”, tha nga ana e tij, rektori Marjan Dema.

Nënshkrimi i këtij memorandumi është në kuadër të bashkëpunimit me institucione dhe misione ndërkombëtare, gjatë realizimit të Projektit “Akademia për Lidership“, duke u mundësuar vajzave dhe grave përmes aktiviteteve të ndryshme të ngriten profesionalisht dhe të shtojnë pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.

Të ngjashme