Universiteti i Prishtinës shpreh shqetësim për sulmet që po i bëhen këtij institucioni

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Menaxhmenti, Kolegjiumi i Dekanëve dhe Parlamenti i Studentëve i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përmes një komunikate dërguar mediave ka shprehur shqetësimin për siç është thënë, sulmet që po i bëhen në vazhdimësi këtij institucioni.

Në komunikatë thuhet se këto sulme janë të drejtuara kah organet ndër më të rëndësishme, si Senati dhe Këshilli i Etikës, dhe se po ashtu janë sulmuar në vazhdimësi profesorati dhe menaxhmenti i universitetit.

“Këshilli i Etikës ka vlerësuar se dy nga rastet e paraqitura në këtë organ do të mund të trajtohen më së miri nga një komision tjetër i pavarur dhe profesional, duke ia lënë Senatit të UP-së këtë përgjegjësi. Padyshim që Senati i UP-së do të ndërmarrë hapat e duhura në këtë drejtim në një kohë sa më të shkurtër që është e mundshme. Me fjalë të tjera, çështja nuk është e mbyllur. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për një trajtim serioz, të përgjegjshëm dhe meritor të rasteve në fjalë. Menaxhmenti i UP-së, Kolegjiumi i Dekanëve dhe Parlamenti i Studentëve konsiderojnë, se synimi i organizatave të caktuara të shoqërisë civile për të instaluar në universitet një logjikë të ndëshkimit pa procedura dhe mbi bazë të mendimeve personale, është e gabuar dhe e kthen institucionin disa hapa pas. Gjithashtu, kjo nuk është në përputhje me vlerat themelore mbi të cilat funksionon Universiteti i Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatën e bërë nga Universiteti i Prishtinës thuhet se tendenca e organizatave të caktuara të shoqërisë civile për t’u vendosur në rolin e vendimmarrësve në universitet përmes presionit dhe agresivitetit, madje duke thyer normat juridike të lejuara për të shprehur opinionin e gjithsecilit në demokraci, lë hapësirë për dyshime mbi motivimin dhe agjendën e tyre.

“Baltosja, tentativat për nxirje të imazhit, aktet e papërgjegjshme në kampusin e Universitetit të Prishtinës tentojnë të rikthejnë jostabilitetin në institucion. Gjithashtu, këto tentativa kanë për qëllim të prishin efektin pozitiv, që ka pasur rritja e Universitetit të Prishtinës në të gjitha rangimet ndërkombëtare. Menaxhmenti i UP-së, Kolegjiumi i Dekanëve dhe Parlamenti i Studentëve i bëjnë thirrje organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë akterëve të interesuar për një universitet modern model të bashkëpunojnë me strukturat menaxhuese, ashtu siç ka ndodhur shpeshherë në të kaluarën e afërt, në të mirë të studentëve dhe arsimit të lartë në Kosovë”, vijon komunikata.

UP kërkon nga të gjithë akterët e shoqërisë kosovare “që të respektojnë autonominë akademike dhe institucionale të universitetit dhe të gjitha veprimet të jenë në frymën e avancimit, e jo të baltosjes dhe dëmtimit të imazhit pozitiv të krijuar së fundmi nga universiteti karshi partnerëve dhe studentëve tanë”.

Në fund të komunikatës thuhet se, Universiteti i Prishtinës do të vazhdojë progresin e tij në raport me ligjshmërinë, shërbimet për studentë dhe shoqërinë, sasinë dhe cilësinë e botimeve, transparencën, integritetin dhe ndërkombëtarizimin. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme