Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) ka organizuar konferencën vjetore “Forumi Rajonal i Dialogut dhe Bashkëpunimit”, ku pjesëmarrës ishin zëvendëskryeministrat e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se me forume të tilla kanë për qëllim shkëmbimin e njohurive në proceset euro-integruese.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Evropa këtë javë e vërtetoi dukë shpërfaqur unitetin e Kosovës pro evropiane.
Ai tha se me shtetet e rajonit drejt BE-së duhet të ketë unitet e bashkëpunim rajonal.
“Jemi duke bashkëpunuar në 4 marrëveshje rajonale dhe jemi të interesuar për nënshkrimin e tyre. Unë jam në bisedime me ministrin Elbert Krasniqi dhe mirëpres çdo iniciative komunale. Aktualisht jemi në përgatitje për një eveniment për disa komuna. Në Kosovë kemi dy mundësi që ofrohen nga IPA për Komunat”.
“Kosova dhe vendet tjera po vazhdojnë të përfitojnë nga IPA. Kosova përfiton edhe nga qasja që ka me BE-në dhe janë programe 7 vjeçare për të mbështetur politika të BE-së, siç janë hulumtimi dhe inovacioni, kultura, shëndeti, arsimi. Qeveria ka vendosur të shfrytëzojë mundësinë në pjesëmarrjen në BE dhe të përforcojë kapacitet e saj dhe ne si qeveri mirëpresim iniciativa të bashkëpunimit më komuna”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, tha se kjo temë determinon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Ai tha se shteti i tij ka kaluar në shtrirje të pushteteve.
“Pozicionimi juridik krijonte pabarazi e kjo më së shumti reflektonte të shqiptarët duke mos e mundësuar të merrnin obligimet dhe përgjegjësitë. Nga ky këndvështrim marrëveshja e Ohrit inicoi ndryshime të mëdha dhe krijoi bazën juridike të komunave”.
“Nënshkrimi i marrëveshjes dhe ndryshimet kushtetuese nuk ka shkuar përherë si duhet. Ai kaloi një rrugë të gjatë implementimi ku u miratua ligji për qeverisje lokale, për qeverisjen e Shkupit. Numri aktual i qeverisjes lokale është 80. Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të qeverisjes së decentralizuar. Kemi formuar edhe grupin ndërsektorial. Unë gati çdo ditë pranoj kërkesa të komunave tona me kryetar të komunave të Kosovës. Sprova e deritanishme e qeverisjes lokale ka treguar shumë përparësi. Ky pushtet është më afër qytetarit dhe mundëson edhe kushte për barazi në arsim”.
Ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik, u shpreh qëllimi i tyre është rritja e llogaridhënies dhe transparencës.
“Bashkëpunimi me popullatën lokale është për arritjen e sukseseve. Qëllimi është të rrisim llogaridhënien e transparencën. Ne besojmë se këto iniciativa do të fuqizojnë dialogun në nivel lokal. Ne duhet të kemi diskutime substanciale për të gjetur të ardhmen sa më të mirë”.
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se qëllimi i dikaster të tij është bashkëpunimi me komunat e Kosovës.
“Një nismë që reflekton bashkëpunimin me qëllim integrimin në BE. Ky është indikator i rëndësishëm drejt përmbushjes së obligimeve. Po ashtu kemi edhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe duke përgatitur konferencë me komunat. Ne kemi avancimin e kuadrit ligjor për komunat. Ministria mbetet e përkushtuar që bashkëpunimi me komunat të avancojë në integrime evropiane”, tha ai.
Drejtori i Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Valmir Gashi, tha se Instituti synon në shkëmbimin e njohurive në proceset euro-integruese.
“Instituti është i përkushtuar për qeverisje lokale dhe nëpërmjet doganave kemi ngritur kapacitet e komunave. Instituti ka marrë iniciativa për bashkëpunim me nivel rajonal. Forumi i dialogut ka për qëllim të kthehet në nismë rajonale. Instituti synon në shkëmbimin e njohurive në proceset euro-integruese”, tha ai.