Në moshën 30-vjeçare një grua kosovare e kishte lindur një vajzë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës. Por disa minuta pas lindjes kjo grua, e kishte braktisur foshnjën e saj, duke e lënë të sëmurë pranë mjekëve të QKUK’së.
Foshnja- e gjinisë femër, kishte lindur me asfiksion perinatal në muajin shkurt të këtij viti. Me këtë diagnozë ishte trajtuar për më shumë se një javë në kujdesin intenziv të QKUK’së. Por aty, fatkeqësisht nuk kishte mundur që t’i mbijetojë sëmundjes dhe e braktisur nga prindërit e saj kishte ndërruar jetë.
Por janë edhe dhjetëra fëmijë të tjerë të cilët thuajse çdo muaj braktisen nga ata të cilët i dhanë jetën-prindërit. Aty, vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë braktisur 38 foshnje.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci ka dhënë detaje për foshnjat të cilat po braktisen nga prindërit e tyre. Ai ka deklaruar se vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti në Klinikën që ai drejton janë 38 foshnje të cilat janë braktisur nga prindërit e tyre.
“Klinika e Neonatologjisë, i trajton edhe foshnjat e braktisura që lindin në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, por edhe ato rastet që gjenden në terren dhe që sillen në klinikë përmes punëtorëve socialë dhe policisë. Gjatë këtij viti në Klinikën e Neonatologjisë janë sjellë 38 raste sociale. Prej tyre 26 janë bërë në bashkimin familjar ku njëri nga prindërit ka pranuar që të kujdeset për foshnjën, ndërsa 12 raste sociale mbesin që të përkujdeset departamenti i mirëqenies sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thotë Gojnovci.
Megjithatë, kjo shifër është më e lartë se sa ajo e vitit të kaluar. Në vitin 2018, në Neonatologji ishin braktisur 29 foshnje.
“Ndërkohë, vitin e kaluar kanë qenë 29 raste, foshnje që i ka trajtuar klinika jonë. Prej tyre 20 bashkim familjarë e nëntë raste janë marrë nga ana e departamentit për mirëqenien sociale që funksionon në kuadër të ministrisë”, sqaron tutje doktori.
Arsyet që çojnë ne braktisjen e këtyre fëmijëve, janë të ndryshme. Kështu po deklarohen mjekët e Klinikës së Neonatologjisë. Klinikë kjo në të cilën foshnjat e porsalindura e që braktisen nga prindërit e tyre, qëndrojnë rreth 28 ditë në Neonatologji. Pastaj me ndihmën e Qendrës për Punë Sociale, këto foshnje dërgohen për në strehimore. Aty ku edhe birësohen nga persona të ndryshëm.
Në këtë klinikë për momentin janë duke u trajtuar vetëm dy foshnje që janë braktisur nga prindërit.
“Për momentin në Klinikën tonë janë 2 foshnje që trajtohen në Neonatologji. Klinika jonë i bënë të gjitha trajtimet dhe ekzaminimet e këtyre foshnjave dhe kujdeset për këto foshnje vetëm 28 ditë. Pastaj kalon në departamentin e Mirëqenies Sociale”.
E ndërkohë, Klinika e Neonatologjisë, si pothuajse të gjitha klinikat e tjera në QKUK, ka nevojë për infermierë të rinj. Kërkesë kjo të cilën Gojnovci thotë se ka kohë që e ka parashtruar pranë organeve të menaxhmentit të SHSKUK’së..
“Edhe më herët ne kemi bërë ankesë për numrin jo të mjaftueshëm të infermierëve. Këtë vit kemi pranuar pesë infermierë. Ende kemi nevojë për infermierë të rinj, shkruan Gazeta Express. Por foshnjat e braktisura kanë 24 orë në javë kujdesin maksimal”, sqaron doktori.
Ndryshe, bazuar në Raportin vjetor të Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjes në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ndër shkaqet kryesore që këto nëna të reja braktisin fëmijët, thuhet se janë kushtet sociale dhe ekonomike, por edhe mospajtimi mes çiftit dhe familjes së vajzave për t’i mbajtur këta fëmijë.