Foshnjës i jepet gabimisht vaksina anti-Covid, Prokuroria turke nis hetimet

Prishtinë | 24 Sht 2021 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Në Izmir të Turqisë, ka nisur një hetim nga Zyra e Kryeprokurorit Publik, lidhur me pretendimin se një foshnjë është vaksinuar aksidentalisht kundër Covid-19.

Gjithashtu, një hetim ka nisur edhe mbi deklaratat e bëra nga një pedagog i Universitetit Egje, i cili tha se “në disa qendra shëndetësore, foshnjat u vaksinuan kundër koronavirusit”.

“Ndonjëherë gjërat ndodhin gabimisht. Për shembull, ata mund ta përziejnë atë vaksinë me një vaksinë tjetër, vaksinën e hepatitit B, vaksinën e fruthit. Ndodh që fëmijët e vegjël të vaksinohen kundër Covid”, tha prof. dr. Zafer Kurugöl, gjë që shkaktoi indinjatë në shoqëri.

Më vonë, deklarata e tij ndryshoi duke thënë se vetëm një foshnjë u vaksinua gabimisht dhe se Ministria e Shëndetësisë ka nisur një hetim administrativ për çështjen.

Ministria deklaroi se ekziston një sistem i sigurt i gjurmimit të vaksinave dhe se i gjithë procesi i vaksinimit është i monituar në çdo hap.

Megjithatë, CNN Turk raporton se ata kanë nisur hetimet për personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe se detajet pritet të publikohen në vijim.


Të ngjashme