Foto-skandali i Brovinës së PDK-së

Prishtinë | 17 Maj 2019 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka shkaktuar skandal me një fotografi, për të cilën ajo tha se është pamje e dhunimit të një gruaje shqiptare nga forcat serbe, në kohën e luftës në Kosovë, vërtetësia e së cilës u vu në dyshim.

Pak orë pasi Brovina e tregoi fotografinë para gazetarëve të mbledhur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, media të ndryshme, përfshirë portalin koha.net, raportuan për ueb-faqe irakiane që kishin fotografi që dukej e njëjtë, e që diku thuhej se ishte “dëshmi” për krimet e forcave amerikane ndaj grave në Irak, e diku prezantohej thjesht si një aktrim pornografik.

Brovina insistoi edhe mbrëmjen e së enjtes se fotoja e prezantuar prej saj është “e vërtetë” dhe se “dhunimi” i shfaqur në të “ka ndodhur në Kosovë”.

Koha Ditore nuk ka mundur të vërtetojë pohimet e Brovinës në mënyrë të pavarur, ndërsa postimet në ueb-faqet irakiane duket sikur janë bërë para shumë vitesh.

E vërteta e saktë ka gjasa se do të mundë të mësohet vetëm pas ekspertizës së fotove dhe ueb-faqeve, por qysh të enjten shumëkush ka shprehur dyshime në vërtetësinë e pretendimeve të deputetes së PDK-së, ndërsa Prokuroria e Kosovës ka hapur hetime rreth rastit.

Por edhe para hedhjes së dyshimit në vërtetësinë e fotove, janë bërë reagime të shumta kundër mënyrës si Brovina e PDK-së ka zgjedhur të “tronditë” publikun me foton diskutabile.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme