Përfaqësuesja e Gjermanisë duhet ta kishte shqyrtuar lënien e mesfushorit Mesut Oezil jashtë ekipit për botërorin “Rusia 2018” pas reagimeve që ka shkaktuar fotografia e tij me presidentin e Turqisë, Tayyip Erdogan në prag të këtij turneu. Kështu ka deklaruar drejtori i Përfaqësueses së Gjermanisë, Olivier Bierhoff të premten.
Ozil, një lojtar kyç i ekipit gjerman që triumfoi në botërorin “Brazili 2014” dhe bashkëlojtari i tij, Ilkay Guendogan – të dy me prejardhje turke – është dashur të përballen me një breshëri kritikash pas fotografisë me Erdoganin në Londër gjatë muajit maj, incident që la në hije përgatitjet e tyre për botëror.
Kampionia në fuqi u eliminua në fazën grupore në Rusi pas paraqitjeve të dobëta që tregoi në tri ndeshje. Kështu, Gjermania regjistroi eliminimin më të hershëm në këtë turne në 80 vjet.
Ozil ishte titullar në ndeshjen e parë, të cilën Gjermania e humbi nga Meksika (1:0) dhe nuk arriti as për së afërmi të shfaqë formën që e kishte në Brazil, ku ndihmoi ekipin të fitojë titullin e botës.
Ai u la jashtë përbërjes së parë në fitoren e Gjermanisë ndaj Suedisë (2:1) për t’u kthyer në ndeshjen e fundit me Korenë e Jugut. Por as në këtë ndeshje, Ozil nuk pati ndikim te Gjermania, që u mposht 2:0 për të konfirmuar eliminimin nga botërori.