Fotografia si dëshmi e gjenocidit serb, promovohet libri ‘Kosovo at War’ i fotoreporterit danez

Prishtinë | 17 Sht 2025 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Një dëshmi tjetër nga lufta e Kosovës që përjetoi nga aparati shtetëror serb, është shfaqur në një libër. Është fotoreporterit danez Thomas Sjørup i cili ka promovuar sot në Prishtinë librin e tij “Kosovo at War”, i cili përmes fotografive sjell faktet e krimit serb ndaj shqiptarëve, raporton Ekonomia Online.

Thomas Sjørup gjatë promovimit tha se ky libër është fryt i viteve pune dhe reflektimi, e ku shtoi edhe se “Kosovo at War” nuk është thjesht një koleksion fotografish, por një dëshmi vizuale e guximit, humbjes dhe qëndresës.

“Ky libër është rezultat i viteve të punës, reflektimit dhe takimeve. Shpresa ime është që ‘Kosovo at War’ të mos shihet vetëm si një koleksion fotografish, por si një dëshmi — një regjistër vizual i guximit, humbjes dhe qëndresës. Çdo imazh tregon historinë e njerëzve të zakonshëm që u përballën me kohë të jashtëzakonshme. Kur erdha për herë të parë në Kosovë gjatë konfliktit, pashë skena të vështirësive të paimagjinueshme. Por pashë gjithashtu shpresë, dinjitet dhe shpirtin e pathyeshëm të popullit të Kosovës, i cili më hapi dyert e jetës së tij. Këto fotografi synojnë ta nderojnë pikërisht atë shpirt dhe ta ruajnë për brezat që do të vijnë. Më herët këtë vit, pata nderin dhe emocionin e madh të pranoj Medaljen Presidenciale të Meritës nga Shkëlqesia e Saj, Presidentja e Kosovës. Ky vlerësim nuk është vetëm i imi — ai i përket çdo kosovari që më hapi derën e shtëpisë, zemrën dhe historinë e tij, dhe që më lejoi të hyja në jetën e tij me kamerën time.

Drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala Peli, theksoi se ky botim është dëshmi autentike e Kosovës dhe një testament për brezat e rinj që të mos harrojnë sakrificën për liri.

“Sot kemi nderin të jemi së bashku në këtë promovim të librit të fotoreporterit Thomas i cili përmes artit ka sjellë një dëshmi të gjallë të Kosovës. Është një dëshmi e kujdesit tonë institucional për ta ruajtur të vërtetën e Kosovës. Botimet e historisë janë dërguar në ambasada dhe konsulata duke shërbyer si urë për dëshmitë tona. Fotografitë e prezantuara sot nuk janë vetëm dokumente të luftës ato e çojnë dhimbjen e vendit tonë dhe rrugëtimin drejtë librit. Kosova dëshmoi para botës ashtu siç ka qenë nga ky libër, kjo mbetet testament të brezat e rinj për të mos harruar lirinë e vendit”, theksoi ajo.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, Arita Gola, e cilësoi librin si një kujtesë të gjallë që edukon të rinjtë mbi rëndësinë e paqes dhe demokracisë.

 “Ky botim është më shumë se një dëshmi në një përmbledhje fotografike. Është promovim gjatë kohës së luftës është kujtesë e gjallë përmes objektivit të aparatit autori na sjellë plagët sakrificat dhe rezistencën e Kosovës. Kjo është e rëndësishme për të rinjtë të edukohen dhe paqja dhe demokracia është fituar me shumë mund dhe sakrifica”, deklaroi Kola.

Nga Instituti i Historisë, Arbër Hadri vlerësoi kontributin e Sjørup si dëshmitar i luftës dhe theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së kujtesës për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Një fotograf danez i çmuar që ka luajtur rol të rëndësishëm në promovimin e luftës në Kosovë. Ishte ndër të paktët fotoreporter. Gjatë luftës në Kosovë Thomas u bë një dëshmitar i historisë së Kosovës, në atë kohë si shumë fotoreporter përveç që kryente punën e tij por fotografitë u bënë aktorët e ndryshimit. Ne të mbijetuarit të luftës në Kosovë e kemi obligim kombëtarë ta kujtojmë nderojmë dhe ta ruajmë gjenocidin serb ndaj Kosovës. Këto krime të kryera nga forcat serbe kanë bërë dhjetëra masakra për të spastruar shqiptarët. Në këtë kuadër është e rëndësishme të përkrahen botime sikur ky sot duke përshirë një arkiv në të ardhmen në Kosovë. Që fotografia të mos shërbejë vetëm për të promovuar por edhe për të kthyer në pasqyrë historik”, shtoi ai.

Të ngjashme