Qeveria franceze bart përgjegjësi “të theksueshme” për “mundësimin e një gjenocidi të parashikueshëm”, është thënë të hënën në një raport të përpiluar nga Qeveria në Ruandë lidhur me rolin e Francës para dhe pas ngjarjeve të tmerrshme, në të cilat llogaritet se janë masakruar rreth 800 mijë persona.
Raporti është përpiluar në kuadër të përpjekjeve të Ruandës për ta dokumentuar rolin e autoriteteve franceze para, gjatë dhe pas gjenocidit, si pjesë e hapave të hedhur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për përmirësimin e marrëdhënieve me shtetin qendror të Afrikës.
Dokumenti prej 600 faqesh pretendon se Franca “nuk ka bërë gjë për t’i ndalur” masakrat gjatë prillit dhe majit të 1994-s, dhe se në vitet pasuese të gjenocidit është munduar që ta mbulojë rolin e saj, duke u ofruar madje mbrojtje disa prej kryerësve. Gjenocidi në Ruandë kishte filluar me vdekjen e presidentit ruandas të komunitetit hutu, kur aeroplani i tij ishte qëlluar mbi Kigali.
Brenda pak orësh militantët ekstremistë hutu nisën ekzekutimet e tutsive dhe hutuve të moderuar, me një shkallë dhe brutalitet që kishte shokuar botën.