Franca ia dhuron Mauritanisë 100 mijë vaksina

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Franca të premten është bërë shteti i parë i pasur që ka dhuruar vaksina kundër COVID-19 nga furnizimi i saj kombëtar për një shtet në zhvillim nëpërmjet programit të Kombeve të Bashkuara për ndihmë shteteve me të hyra të ulëta dhe mesatare. Ky shtet ia dhuroi më shumë se 100 mijë vaksina Mauritanisë.

Liderët e programit COVAX kanë lavdëruar Francën për donacionin, që u shpalos nga presidenti Emmanuel Macron, dhe kanë ftuar edhe shtetet tjera të pasura që të ndjekin shembullin në një kohë kur ka kërkesë të jashtëzakonshme e pak furnizim për vaksina – teksa rastet e infektimit me koronavirus janë në rritje.

Në një ngjarje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke njoftuar për dhurimin te COVAX-i, Macroni ka thënë se shtetet duhet të tregohen solidare që të përshpejtohet dhurimi i vaksinave.

Gavi, Aleanca e Vaksinave, që ndihmon organizimin COVAX, ka lavdëruar Francën për “kontingjentin e parë” pa kompensim për programin. Aty u parapanë 105 mijë e 600 doza për Mauritaninë.

Macroni është zotuar se Franca do të dhurojë deri 500 mijë doza për programin, deri në mes të qershorit dhe se deri në fund të vitit mund ta çojë këtë shifër në 13 milionë.

Përderisa edhe Zelanda e Re është zotuar se do t’i dhurojë 1.6 milionë dozat që pritet t’i marrë përmes COVAX-it, dhurimi francez është i pari nga furnizimi kombëtar. Edhe Spanja është zotuar se do t’i dhurojë deri 7.5 milionë doza, sapo që të vaksinohet gjysma e popullatës së saj. Me ritmin aktual, kjo do të bëhet në korrik.

Gavi ka njoftuar se për dhurime interesim kanë shprehur edhe shtete të tjera përfshirë Britaninë e Madhe, Kanadanë e Norvegjinë./AP

Të ngjashme