Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ditë para se të shkojë në Bruksel më 18 korrik për takim me kryetarin e Kosovës Hashim Thaçi, do të qëndrojë në Paris për t’u takuar me kryetarin francez Emmanuel Macron.
Franca, siç përcjell gazeta “blic” e Beogradit, me këtë rast do t’ia përcjellë Vuçiqit të paktën tri mesazhe, nga të cilët, siç thotë, njëri do të jetë i dhembshëm.
Mesazhi i parë ka të bëjë me zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale që po ecin gjithnjë e më mirë në fushat ekonomike, politike e kulturore.
Mesazhi i dytë është përkrahja e Francës për Serbinë në rrugën e saj evropiane.
Mesazhi i tretë, siç ka thënë ambasadori francez në Beograd Frederic Mondoloni është tema e dhembshme që ka të bëjë me Kosovën dhe me ripërtëritjen e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
“Shpresojmë që ky dialog do të sjellë ndonjë rezultat dhe përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Mondoloni.