Franca ka lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare për 3 zyrtarë të lartë të shërbimeve sekrete siriane, në lidhje me vdekjen e dy shtetasve franko-sirianë, sipas asaj që njoftojnë burime ligjore këtë të hënë.
Urdhërarrestet, që prekin drejtorin e Byrosë Kombëtare të Sigurisë, Ali Mamluk, si dhe dy persona të tjerë, u lëshuan për “pjesëmarrje apo bashkëpunim në akte torture”, “pjesëmarrje apo bashkëpunim në krime kundër njerëzimit” dhe “pjesëmarrje apo bashkëpunim në krime lufte”.
Tri urdhërarrestet u lëshuan më 8 tetor, por u bënë publike vetëm sot, sipas njoftimit që vjen nga grupi avokator FIDH, apo Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Zyrtarët e tjerë të rangjeve të larta janë Jamil Hassan, kreu i Agjencisë së Shërbimeve Informative të Forcave Ajrore siriane, si dhe Abdel Salam Mahmoud, në krye të degës investigative të Kundërzbulimit të Forcave Ajrore, në aeroportin ushtarak “Mezzeh” të Damaskut.
Ata kërkohen në lidhje me zhdukjen e Mazen dhe Patrick Dabbagh, at e bir, të cilët ishin arrestuar në nëntor të vitit 2013 dhe janë zhdukur pasi u burgosën në qendrën e paraburgimit në Mezzeh. Ata u shpallën zyrtarisht të vdekur gjatë verës së këtij viti.
Në qershor, edhe e përjavshmja gjermane “Spiegel” raportoi se prokurorët gjermanë kishin lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare për Jamil Hassan, për akuzën e mbikëqyrjes së torturave dhe vrasjes së qindra të paraburgosurve.