Parlamenti francez do të miratojë një ndalesë për rrahje të fëmijëve – një veprim ky më shumë simbolik në një vend ku ende ka mbështetje të gjerë për ndëshkimin fizik ndaj fëmijëve.
Sipas Fondacionit Francez për Fëmijë, 85 për qind e prindërve francezë pranojnë t’i kenë rrahur fëmijët e tyre.
Nëse aprovohet nga Senati, Franca do të bëhet vendi i 56 në botë që ndalon rrahjen e fëmijëve vetëm pak ditë pasi edhe Kosova kaloi një legjislacion të ngjashëm, raporton “The Telegraph”.
Masa, e cila u aprovua nga deputetët francezë në nëntor, pritet të kalojë lehtësisht në dhomën e lartë të parlamentit pavarësisht se disa deputetë konservatorë dhe të së Djathtës ekstreme që paralajmërojnë se një legjislacion i tillë nxit “ndërhyrje” të padëshiruar në jetën familjare.
Porsa të shkruhet në Kodin Civil, çiftet që shkëmbejnë betimet martesore do të paralajmërohen se “autoriteti prindëror ushtrohet pa dhunë fizike apo psikologjike”, transmeton Koha.net.
Kodi penal francez edhe tash ndalon dhunën kundër fëmijëve. Por sipas një vrime ligjore të shekullit të 19-të, prindërit janë lejuar të ushtrojnë dhunë fizike ndaj fëmijëve për “disiplinim” si pjesë e “dhunës së zakonshme të përditshme”.
Ky legjislacion do ta vë Francën në linjë me traktatet ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve.
Por, mbetet të shihet nëse ligji do të ndryshojë shprehitë disiplinore në Francë, pasi që i njëjti nuk parasheh ndonjë ndëshkim specifik për prindërit që shkelin rregullat.
Kujtojmë se javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës votoi Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijës. Projektligji ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Projektligji synon të garantojë dhe sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës bazuar në interesin më të lartë të fëmijës si dhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.