Vendosja e taksës për Amazon, Apple, Google dhe Facebook çdo vit buxhetit të Francës do t’i shtohen 500 milionë euro.
Sipas ministrit francez të Financave, Bruno Le Maire, taksat e reja, të quajtur GAFA (Google, Apple, Facebook, Amazon), synojnë gjigantët e huaj të korporatave me të ardhura dixhitale në të gjithë botën prej së paku 750 milionë euro dhe të ardhura prej më shumë se 25 milionë euro në Francë.
“Taksa shtesë prej 3 për qind do të zbatohet në të ardhurat e të paktën 30 korporatave, shumica e të cilave janë amerikane, duke përfshirë Uber, Airbnb dhe Booking. Gjithashtu, draftdokumenti liston firmat kineze, gjermane, spanjolle dhe britanike, së bashku me specialistin francez të reklamave në internet Criteo. Ky veprim është parë si një çështje e drejtësisë fiskale, duke theksuar se firmat e vogla dhe të mesme evropiane aktualisht paguajnë 14 për qind më shumë se gjigantët dixhitalë”, thotë Le Maire.
Taksa e re nuk do të zbatohet për të ardhurat e fituara nga kompanitë që shesin prodhimet e tyre në faqet e tyre të internetit. Po ashtu, autoritetet franceze do të vendosin tatimin mbi shitjen e të dhënave personale për qëllime reklamimi.
Tatimi i GAFA është një nga kërkesat kryesore të “Jelekëve të Verdhë” që kanë demonstruar në të gjithë vendin për më shumë se tre muajt e fundit.