Vozitësit në Francë po planifikojnë që sot ta bllokojnë trafikun në tërë Francën për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Pritet që ata të shkaktojnë bllokada dhe tollovi në të paktën 700 lokacione në tërë vendin.
Protestuesit po e akuzojnë presidentin francez, Emmanuel Macron, për anashkalim të shtresës së mesme dhe të varfër të popullsisë. Sidoqoftë, ai i akuzoi kundërshtarët politikë për nxitje të protestës me qëllim të bllokimit të programit të tij të reformave. Zyrtarët kanë thënë se nuk do ta ndalin protestën, por se nuk do të lejojnë që rrjeti rrugor i vendit të bllokohet tërësisht.
Çmimi i naftës, që është karburanti më i përdorur në Francë, është rritur për 23% brenda një viti dhe ka arritur çmimin prej 1 euro e 51 centë për litër, që është më i shtrenjti në më shumë se dhjetë vjet. Çmimi i naftës në nivel botëror ishte rritur, por kishte rënë sërish. Sidoqoftë, qeveria franceze e rriti taksën për naftë në 7.6 centë për litër dhe taksën për benzinë në 3.9 centë për litër, si pjesë e kampanjës për përkrahje të veturave që nuk e ndotin ajrin.
Për më tepër, qeveria po planifikon ta vendosë edhe një taksë tjetër në naftë prej 6.5 centësh dhe ky plan nxiti protesta në masën e gjerë të popullsisë. Presidenti francez e fajësoi rritjen e çmimit të naftës në nivel botëror, ndërsa ministri i brendshëm, Christopher Castaner, tha se rënia e çmimit në nivel botëror do ta zvogëlojë efektin e ngritjes së taksës.
Lajmi për organizim të protestës është përhapur shpejt nëpër rrjetet sociale dhe duket se pjesëmarrja në këtë protestë do të jetë e madhe. Protestuesit po kërcënojnë se do t’i bllokojnë autostradat dhe rrugët që dërgojnë në deponitë e naftës. Një mënyrë tjerër e protestimit do të jetë mbulimi i kamerave për kontrollim të shpejtësisë me qese të mbeturinave, shkruan “BBC”,