Franca: Serbia, jo në Bashkimin Europian në vitin 2025

Prishtinë | 10 Pri 2019 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Francezët i kanë gjërat të qarta: Serbia nuk do të hyjë në BE në vitin 2025! Ky ishte mesazhi i 9 prej 12 kandidatëve të partive franceze për zgjedhjet e Parlamentit Europian.

Retorika elektorale është ashpërsuar, e me të, nga Parisi mbërriti mesazhi i qartë se Franca nuk e sheh me dashamirësi vazhdimin e zgjerimit të Bashkimit Europian në të ardhmen.

Hyrja e Serbisë në bllokun europian ishte një prej pyetjeve, me të cilat u përballën kandidatët në debatin televiziv “L’Émission politique”, mbajtur në televizionin shtetëror francez, ku patën mundësinë të paraqitnin platformat e tyre.

Rezultati i përgjigjeve ishte: 9 butona të kuq, dy jeshilë dhe një abstenim! Butonat e kuq ishin kundërshti e hapur, gjë që duhet të shqetësojë Beogradin.

Dy kandidatët e vetëm që pajtoheshin me idenë e anëtarësimit në vitin 2025 ishin njëri i Partisë Socialiste në opozitë dhe tjetri i partisë së qendrës, UDI.

Mes zërave kundër ishte edhe ai i ish-ministres së Çështjeve Europiane, Nathalie Loiseau, e cila vizitoi Beogradin në muajin mars.

“Gjendja aktuale e bllokut nuk e lejon zgjerimin e mëtejshëm të tij. Serbia ka bërë progres të madh, por Franca, si mike e vërtetë është e detyruar t’i thotë të vërtetën”, ka qenë komenti i Loiseau.

Një rezultat i tillë, në fakt nuk duhet konsideruar surprizë – thonë opinionistët, – po të mbahet parasysh fakti që kohët e fundit, francezët kanë nisur ta ngrenë gjithmonë e më shumë zërin kundër një anëtarësimi të shpejtë në BE, jo vetëm të Serbisë, por të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme