Franca ua kufizon të moshuarve lëvizjen e lirë me dozën e tretë

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

Personat mbi moshën 65-vjeçare në Francë së shpejti do të lejohen që të udhëtojnë ose të futen në restorante e muze vetëm nëse e kanë marrë dozën përforcuese kundër Covid-it, tha Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Nga 15 dhjetori, do të duhet që të ofroni dëshmi të dozës përforcuese për ta zgjatur vlefshmërinë e pasaportës suaj shëndetësore”, paralajmëroi ai në një fjalim të transmetuar në televizion.

Rregulla e re e ashpërson edhe më tej njërin nga regjimet më të rrepta kundër pandemisë në Evropë. Megjithatë, pavarësisht shkallës së lartë të vaksinimit, Franca po shënon rritje të numrit të rasteve, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Të martën, Franca regjistroi rreth 12.500 raste të reja brenda 24 orëve – që ishte numri më i madh që nga fillimi i shtatorit.

“Nuk kemi përfunduar me këtë pandemi. Zgjidhja për këtë rënie të imunitetit është një dozë shtesë e vaksinës”, tha presidenti francez, duke shtuar se shkalla e infeksioneve javën e kaluar është rritur për 40 për qind.

Pasaporta shëndetësore në Francë është duke u kërkuar nga fundi i korrikut. Njerëzit duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar, se kanë dalë negativë në testim ose që e kanë kaluar së fundi sëmundjen për të hyrë në muze e kinema ose për të udhëtuar me tren e aeroplan.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme