Pasi doli prej vendit ku ishte fshehur brenda një kamioni të mbushur me lodra për fëmijë në një port britanik, Alban Tufa pa policinë dhe kuptoi se përpjekja e tij për t’u futur në vend kishte dështuar.
Disa javë më vonë, 21-vjeçari shqiptar u kthye me avion në drejtim të Shqipërisë.
Kjo histori ndodhi 6 vite më parë, por Tufa dëshiron sërish të largohet prej Shqipërisë, një dëshirë që e kanë edhe plot të rinj të tjerë në shtetin Ballkanik.
Vendi i tyre nuk është në luftë, nuk sundohet nga një regjim autoritar dhe as nuk është prekur nga fatkeqësi natyrore.
Mergjithatë, dëshira që shqiptarët kanë për t’u larguar është nga më të fortat në planet.
“Në fshatrat shqiptare, çdo familje ka një anëtar të sajin në emigrim. Kështuqë edhe unë u përpoqa të bëja të njëjtën gjë”, u shpreh Tufa teksa tregonte për iniciativën e tij të dështuar për t’u futur në Britani, në një udhëtim me avion, tren dhe kamion, ndihmuar prej kontrabandistëve.
“Isha i interesuar të punoja. Nuk ka rëndësi se çfarë pune do të bëja për aq kohë sa do të ishte e ndershme”, shtoi më tej ai.
Sipas një sondazhi të Gallup, 60% e shqiptarëve kërkojnë të largohen prej vendit të tyre. Shifër kjo që përkon me të katërtën më të lartë në planet. Veçanërisht të rinjtë janë ata që kërkojnë të largohen prej vendit.
Në vitin 1990, popullsia shqiptare ishte mjaft e re në moshë, me plot 3.3 milionë banorë.
Tashmë, statistikat e Bankës Botërore tregojnë se popullsia në plakje, me një numër të lartë të njerëzve që emigrojnë, ka arritur në shifrat e 2.9 milionë banorëve.
Edhe pse qeveria nuk ndjek të dhënat për normën e emigracionit, besohet se 1.2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Një shifër kjo që përkon me 40% të popullsisë së përgjithshme.