Pas një fushate të potershme zgjedhore të mbushur me skandale dh befasi, qytetarët francezë kanë filluar sot të votojnë për të vendosur nëse një kandidat i qendrës pro-Bashkimit Evropian, apo një djathtiste ekstreme kundër emigracionit do t’i udhëheqë ata në pesë vitet e ardhshme.
Sondazhet tregojnë se francezët do të zgjedhin Emmanuel Macronin, një 39-vjeçar ish ministër i Ekonomisë që dëshiron të ndërtojë urë lidhëse në mes të djathtistëve dhe majtistëve të ndarë, duke i bërë qëndresë një rryme kundër establishmetit që i pa britanikët të votonin për të dalë nga BE-ja dhe amerikanët për ta zgjedhur Donald Trumpin president, transmeton Express.
Por, nëse ndodh ndonjë befasi dhe fiton kandidatja e Frontit Nacional Marine Le Pen, atëherë e ardhmja e BE-së mund të jetë në rrezik.
Macron, i cili dëshiron që t’i heqë rregulloret dhe përkufizimet e ekonomisë dhe ta thellojë integrimin e BE-së, ka një epërsi prej 23 deri 26 për qind ndaj Le Penit në sondazhet publike.
Parashikimet dhe sondazhet kanë qenë të sakta për rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale muajin e kaluar, të cilat parashikuan se Macron do ta fitonte rundin e parë dhe Le Pen do të dilte e dyta, siç edhe ndodhi.