Francezëve iu bëhet thirrje t’i kalojnë pushimet e verës në Francë

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Francës nuk dëshiron që qytetarët e saj të udhëtojnë jashtë vendit këtë verë për pushime dhe i rekomandon ata që të kalojnë pushimet në Francë, ka thënë të dielën ministrja e Ambientit, Elisabeth Borne, shkruan agjencia Reuters.

Më herët këtë muaj, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se ka pak gjasa që francezët të bëjnë ndonjë udhëtim të madh këtë verë, madje edhe udhëtimet brenda Evropës do të limitohen për të reduktuar rrezikun për një valë të re të koronavirusit.

Borne, në një intervistë për radion “France Inter”, ka thënë se javën e ardhshme qeveria do të vendosë për zbutjen e masave për udhëtime brenda Francës, që aktualisht janë të kufizuara në maksimum 100 kilometra nga shtëpia.

Ajo ka thënë se parqet në Paris do të mbesin të mbyllura për tash, pasi kryeqendra është ende “zonë e kuqe” për qarkullimin e virusit.

Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, i ka bërë thirrje qeverisë të rihapë parqet, pasi parisienët, të cilët shumica jetojnë në apartamente, po mblidhen rreth parqeve të mbyllura ku është e vështirë të ruhet distanca sociale.

Të ngjashme