Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi, thotë se ka kërkuar nga gjyqtari i lëndës së tij ta lejojë të ,marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, të thirrur për 3 gusht.
Krasniqi është zgjedhur deputet në zgjedhjet e 11 qershor nga lista e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por tash e disa muaj gjendet në arrest shtëpiak për shkak se është i akuzuar për terrorizëm si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes në ndërtesën e Kuvendit në gusht të vitit të kaluar.
Krasniqi ka thënë se ka kërkuar leje nga gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, për të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit.
“Sot e kam dërguar në Gjykatën Themelore kërkesën time për të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës si dhe për t’u regjistruar si deputet. Kërkesën ia kam drejtuar specifikisht kryetarit të trupit gjykues në rastin tonë, gjykatësit Beqir Kalludra”, tha Krasniqi.
Por gjyqtari Kalludra tha se nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga deputeti.
“Nuk kam marr ende asnjë kërkesë. Nuk kam njohuri”, tha shkurt gjyqtari Kalludra.
Duke filluar nga sot e deri të premten, deputetët janë të thirrur në mjediset e Kuvendit për t’u regjistruar.
Frashër Krasniqi thotë se pjesëmarrja e tij në seancat dhe mbledhjet e Kuvendit është “e drejtë dhe obligim kushtetues”.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ua garanton deputetëve të drejtën për pjesëmarrje në Kuvend dhe për më tepër i obligon ata për një gjë të tillë. Në këtë kontekst mohimi eventual i të drejtës time për pjesëmarrje në Kuvend do të përbënte shkelje të Kushtetutës, e cila i mbivendoset çdo ligji apo vendimi juridik brenda Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Zgjedhja ime si deputet paraqet vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës i cili vullnet do të duhej të ishte baza e vendimeve të sistemi të drejtësisë. Mohimi eventual i pjesëmarrjes time pra do të përbënte edhe shkelje të vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, tha Krasniqi.