Ish – deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi ka theksuar se vdekja e Astrit Deharit duhet të hetohet deri në fund.
Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se hetimi i rastit duhet të bëhet pa lënë dykuptimësi e as dilema.
“Astriti është mbajtur padrejtësisht në burg. Ai ka vdekur nën mbikëqyrjen e sistemit tonë të drejtësisë. Ja dy vepra penale që është dashur të ngriten moti, pa pritur rezultate hetimesh”, ka shtuar Krasniqi.
Frashër Krasniqi së bashku Astrit Deharin, Dea Batushën dhe Atdhe Arifin ishin arrestuar me 30 gusht të vitit 2016, me dyshimin për sulmin në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe, të enjten Prokuroria Themelore në Prizren, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se bazuar në të gjeturat e raportit nga instituti zviceran për rastin Dehari, Prokuroria do të vazhdoj me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, ku do t’i dëgjoj edhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, si dhe ekspertët e Insitutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për sqarimin e raporteve të tyre dhe nëse është e domosdoshme do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes.