Kur bëhemi gati për të hapur një kapitull të ri në jetën tonë, më së pari vjen në shprehje një punë apo thënë ndryshe: një vendim sfidues që duhet marrë dhe një përballje që duhet të kryhet patjetër, dhe kjo është përballja me veten.
Nuk është gjë e lehtë, por as nuk është diçka e pamundur. Ka persona që të qenit vetë me veten dhe të qenit në paqe me veten e kanë parësore dhe i kushtojnë rëndësi, duke qenë të gatshëm kështu për të marrë vendime të cilat prekin relativisht edhe persona të dytë në rrethin e njerëzve që i kanë pranë. Ka të tjerë që fshihen pas një doze të pakuptimtë vetëbesimi apo një maske ftohtësie e vrazhdësie, për të krijuar kështu përshtypjen e njeriut të fortë…
Fillimisht, ndodh një ndrydhje e ndjenjave nga frika për të provuar “rënien”, ose, ndodh “ngatërrim ndjenjash” në rastin kur njerëzit kanë frikë të përballen me veten. Pastaj vazhdon heshtja. Një lloj heshtjeje të cilën askush s’ka dëshirë ta deshifrojë, një lloj i atillë që gjithashtu, askush s’ka dëshirë ta prishë për t’u përballur me personin tjetër, karshi të cilit mund të ketë një ndjenjë. Kjo vjen, si pasojë e frikës nga refuzimi, frikës prej lidhjes emocionale dhe “sakrificës” së lirisë që do mund t’ia falnim tjetrit.
Mirëpo, askush nuk e ka thënë që të qenit dy, si një i vetëm rrezikon të të lerë pa jetë private. Përkundrazi, duhet të jesh shumë i/e fortë psiqikisht dhe shpirtërisht që të jesh gati të ndash emocionin, ndjenjën, lirinë duke e dyfishuar atë në dy trupa dhe dy shpirtra. Thënë ndryshe: Nuk duhet lejuar që frika e humbjes të na lërë pa shijuar lojën nga e cila mund të dalësh fitues. Loja e ndjenjave ka gjithmonë për humbës të përkohshëm atë që shfaqet shprehimisht i pari, pa maskë, pa veladon, thjesht, pastër dhe qartë; nudo! Një zhveshje pra, rrënjësore të shpirtit para shpirtit të tjetrit që qëndron i ngujuar.
Me kalimin e kohës, fitorja emëron për pronar të vetin shpirtin e zhveshur. Të qëndruarit i ngujuar me ndjenjat, gërryen masën e materies që e quajmë shpirt. Shpeshherë i fajësojnë femrat për brishtësinë e tyre. Kush? Ata meshkuj që janë aq të brishtë në brendësi sa që edhe sikur t’i prekësh, t’iu flasesh, t’i përqafosh, duhesh t’iu kërkosh ndjesë nëse i afrohesh ndonjë lëndimi tipik të egos mashkullore.
Nga ana tjetër, ka femra “të brishta” të cilat nuk kanë frikë të pranojnë atë çfarë janë, e pikërisht ky ‘guxim’ i bën ato më të forta, më luftarake, më “burrnesha”. Frika nga përballja e drejtpërdrejtë shprehet më tepër tek meshkujt; gjithmonë është më e lehtë të mos flasësh, të mos shkruash ose të mos e thuash.
Në një gjendje kaosi mund te duket vendimi më i mirë, mirëpo me kalimin e kohës, kjo kthehet në “përndjekje” deri sa arrijmë te faza finale e përballjes me veten. Personi tjetër, nga ana tjetër e ekranit, mund ta ketë tejkaluar “boom”-in dhe gjendjen momentale të tronditjes emocionale, duke qenë kështu në paqe me veten, duke mos e kërkuar fajin te vetja dhe duke shijuar kështu atë liri të cilën kemi frikë ta humbim…
Një gjë tjetër është edhe frika e detyrimeve dyshe, krijimi i një plani për të ardhmen në një variant çift, gjë që, dikë që është “single”, “free” apo që sapo ka dalë nga ndonjë lidhje e gjatë mund ta tmerrojë si ide.
Të gjitha këto mund të evitohen me anë të komunikimit. Mungesa e komunikimit çon tek dështimi i lidhjeve. Injorimi i disa shenjave çon tek humbja e interesit, ndërsa, interesimi i tepërt çon tek ngulfatja e një raporti.
Dashuria nuk është shkencë. Është diçka që shkenca nuk e percepton dot. Në fakt, jemi ne ato që përpiqemi të jemi shkencëtare te mirë në një fushë që nuk kërkon studim. Ajo thjesht ndodh. Dhe e pranojnë të guximshmit, e përbuzin të dobëtit dhe dëshirojnë ta kenë vetëm ata që të paktën mundohen ta japin. Duhet patur kujdes i veçante të mos trembim ata që nuk janë të hapur ta pranojnë.
Duhet patur persëri kujdes që në momentin që ndjejmë diçka ta shprehim, dhe të shohim: kemi apo nuk kemi vend në tavolinë, duhet apo nuk duhet të lëmë një karrige të lirë dhe te ecim rrugës tone, duhet apo nuk duhet t’i krijojmë vend vetes në atë tavolinë? Apo duhet që edhe tavolinën ta përmbysim, e kështu të përmbyllim rrethin e pritjes së diçkaje që nuk duket askund në horizont.
Për ta përmbledhur të gjithë këtë, duke mos dashur të bëj psikologen, më duhet të them vetëm se: Disa njerëz mbeten frikacakë gjatë gjithë jetës. Këta njerëz nuk kanë nevojë për liri, por kanë nevojë të përballen me veten. Për t’u përballur me veten, duhet forcë, e këta nuk e kanë.
Gjërat e mëdha nuk krijohen me frikacakë, që së pari nuk dinë çfarë kërkojnë nga vetja e pastaj as nga personat e tjerë që i kanë pjesë te rrethit shoqëror.