Me rastin e Ditës së Evropës, Lëvizja Fol prezantoi instalacionin “From Here to Anywhere”, një vepër artistike me simbolikë për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli – Nimani, tha se premtimet për integrim kanë mbetur shpesh vetëm në letër, ndërsa qytetarët po humbasin besimin në një të ardhme evropiane që u është premtuar.
“Në këtë ditë simbolike le të jetë kjo një thirrje për më shumë veprim e më pak retorikë, për një Evropë që nuk përjashton, por përfshin, për një Evropë që mban premtime. Një kërkesë që vjen nga shoqëria civile në Kosovë mund t’ia drejtojmë politikës duke kërkuar që të përshpejtohet rruga drejt integrimit evropian përmes reformave të thella në sundimin e ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe garantimit të lirive demokratike. Në Ditën e Evropës ne si përfaqësuese të shoqërisë civile kërkojmë nga udhëheqësit tanë politikë të tregojnë përkushtim të sinqertë ndaj vlerave evropiane përmes veprimeve konkrete si forcimi i institucioneve të pavarura, transparencë në qeverisje dhe përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje”, u shpreh ajo.
Instalacioni është vepër e artistit Driton Selmani, i cili e përshkroi atë si një kombinim mes bukurisë së Kosovës dhe lojës së fëmijërisë, duke krijuar një hapësirë të frymës së lirë dhe shpresës.
“Kosova është tepër e bukur edhe është vendi më i mirë në botë nëse je kosovar dhe në këtë kontekst në këtë brumë kam dashur ta gatuaj diçka që loja e fëmijëve të shndërrohet këtu. Vepra ose slogani me qenë në qiell mbi idenë e mundësisë dhe kapacitetit të mushkërive tona për të marrë frymë më lirë dhe të mos kalojmë në ato barrierat që kur i kujtoj janë mjaft të frikshme”, tha ai.
Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, theksoi se instalacioni shpreh ndjenja të përbashkëta dhe vlera evropiane që lidhin njerëzit përtej kufijve.
“From Here to Anywhere” është më shumë sesa një strukturë fizike, është një ndjenjë. Shprehja që e përshkon atë flet për hapje, optimizëm dhe lidhje. Na fton të gjithëve jo vetëm të shikojmë, por të lëvizim, të ndalemi për një çast dhe të bëhemi pjesë e saj. Me çdo lëkundje të djepave, ne e gjallërojmë hapësirën, i kthejmë fjalët në lëvizje dhe lëvizjen në kuptim. Le të ndalemi për një moment dhe të reflektojmë mbi vendin ku qëndrojmë, mbi ato që na lidhin me “kudo”, me njëri-tjetrin, me Evropën dhe me të ardhmen e përbashkët që e imagjinojmë. Kjo nuk është vetëm një vepër arti, është mishërim i vlerave që na bashkojnë si evropianë: uniteti, paqja dhe solidariteti. Në këtë Ditë të Evropës, le ta mbajmë këtë mesazh me vete: Nga këtu, mund të shkojmë kudo – së bashku”, tha ajo.
Ndërsa, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, tha se përmes kësaj vepre artistike po reflektohet liria dhe vetëdija për të thyer barrierat, jo vetëm fizike, por edhe mendore.
“Lëvizja është liri dhe të gjitha simbolikat që janë përdorur në instalacion duket që po na zhvendosin drejt lirisë, drejt thyerjes së barrierave, jo vetëm fizike, por edhe mendore. Kosova gjeografikisht është në zemër të Evropës dhe me vlera udhëtojmë bashkërisht me Evropën. Kësisoj, arti duhet gjithmonë të shërbejë si një vetëdije kritike mbi atë se çfarë jemi, ku jemi dhe kah duam të shkojmë”, tha Halimi.

