Frutat dhe perimet e sezonit

Prishtinë | 02 Maj 2021 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Çdo frutë apo perime ka momentin e tij të mbretërimit në sezon. Disa mbretërojnë më gjatë për gati gjysmën e vitit dhe të tjerë e mbajnë fronin vetëm për një muaj. Por në çdo rast, kur flasim për frutat e majit nënkuptojmë më shumë aromë, shije, lëng dhe padyshim më shumë freski.

Qershitë

Nuk ka tregues më të sigurt dhe më të lumtur se po afron vera, se sa dalja e qershive të para në treg. Më i vogli dhe më i hershmi ndër frutat e majit, është shenja paralajmëruese se pjeshkat, kumbullat dhe nektarinat e tjera janë të radhës në shportë.

Si t’i zgjidhni qershitë

Shikoni për qershi me lëkurë të lëmuar dhe me shkëlqim. Sa më e errët të jetë ngjyra e kuqe, aq më e mirë është qershia, pasi tregon se ajo është plotësisht e pjekur. Gjithashtu kontrolloni dhe bishtat; ato duhet të jenë jeshile dhe krejt elastike, ndërkohë që në momentin që ruhen, ato marrin një ngjyrë si vishnje në të kafenjtë.

Si t’i ruani qershitë

Futini në frigorifer në një enë të izoluar mirë. Ato mund të rrojnë deri në disa javë në këtë mënyrë.

Kajsia

Plot aromë dhe ëmbëlsi, kajsia është një nga frutat tipikë të sezonit. Pak e dinë në fakt që kajsia e ka origjinën nga Azia dhe në Evropë u soll nga grekët, të cilët i vunë emrin “vezët e arta të diellit”. Nga shija dhe nga ëmbëlsia kajsia ka një dyzim mes kumbullës dhe kajsisë.

Si t’i zgjidhni kajsitë

Kajsitë ashtu si dhe frutat e tjera të kësaj familje, pikun e pjekjes e kanë në momentin e vjeljes. AgroWeb.org ju sugjeron të zgjidhni ato që kanë një nuancë të artë dhe mos i kushtoni shumë vëmendje atyre që sapo kanë filluar të skuqen.

Si t’i ruani kajsitë

Kajsitë mund të ruhen në temperaturën e ambientit për disa ditë, veçanërisht nëse ato janë të papjekura. Pas kësaj mund t’i ruani në frigorifer në një enë të izoluar mirë.

Bishtajat

Bota e bishtajave është e ndarë në dysh: rrumbullake dhe të gjera. Bishtajat rrumbullake dhe ato më të holla duhet të gatuhen shpejt në mënyrë që të mund të ruajnë shijen delikate. Ndërsa bishtajat e gjera marrin më shumë kohë në gatim, pasi duan kohë për t’u zbutur për shkak të cipës së tyre të trashë.

Si t’i zgjidhni bishtajat

AgroWeb.org këshillon të zgjidhni bishtaja të forta dhe kërce. Nuk duhet të kenë pjesë të buta apo pjesë të çngjyrosura. Kur bëni pazarin, bëni kujdes që të zgjidhni vetëm bishtajat e drejta, pasi janë më të lehta për t’u gatuar dhe kanë një pamje më të këndshme.

Si t’i ruani bishtajat

Mbajini bishtajat në frigorifer në qese plastike të izoluar mirë. Nëse do t’i ruani për një kohë të gjatë vendosni një kartëpecetë, në mënyrë që të thithë lagështirën.

Patatet e reja

Patatet e reja kanë një rrugë shumë të shkurtër nga toka në treg, ndaj dhe për këtë arsye quhen të reja, pasi nuk kalojnë në procesin e ruajtjes. Ato kanë një aromë dhe shije të veçantë.

Si t’i zgjidhni

Mënyra e mirë që ju tregon që një patate është e re, është ta gërvishtni lëkurën me gisht. Lëkura e saj është aq e butë sa do të hiqet menjëherë.

Si t’i ruani

Patatet e reja mund t’i ruani në temperaturën e mjedisit, por nuk do të ruajnë freskinë aq gjatë sa patatet e vjetra. Nëse futen në frigorifer dhe ruhen për një kohë të gjatë, do të kenë një shije shumë më të ëmbël./AgroWeb.org

Të ngjashme