Ushtarak nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) dhe nga të FSK-së, janë trajnuar dhe certifikuar në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim Shpëtimit( QNTKSH) të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kurset e Kërkim-Shpëtimit Urban Bazik dhe i Avancuar.
Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte përgatitja e personelit me metodat bazike dhe të avancuara të Kërkim Shpëtimit, përdorimin e pajisjeve për të zhvilluar aftësitë kritike në përgjigjen ndaj katastrofave urbane.
“Në nivelin bazik janë përgatitur ushtarakët me njohuri bazike për operacionet e kërkim-shpëtimit urban, vlerësimi i ndërtesave dhe strukturave, prezantimi i mjeteve dhe teknikave të shpëtimit ndërsa në nivelin e avancuar pjesëmarrësit stërviten në skenarë të ndërlikuar të shembjes së strukturave dhe shpëtimit në hapësira të kufizuara, teknikat e avancuara të shpëtimit, koordinimi taktik midis ekipeve nga njësi të ndryshme”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ky trajnim është një dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të QNTKSH-së, për të përmirësuar aftësitë rajonale të përgjigjes ndaj katastrofave dhe për të forcuar bashkëpunimin ushtarak në operacionet e kërkim-shpëtimit.