FSK dhuron gjak për herë të dytë brenda vitit

Prishtinë | 08 Gus 2018 | 15:03 | Nga

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sot filloi aksioni tradicional-humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, me moton  “një pikë gjak për shpëtimin e një jete”, për nevojat e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës, nga pjesëtarët e FSK-së dhe shërbyesit civilë të MFSK-së.

Aksionit, si gjithherë, edhe sot  i janë  përgjigjur një numër i konsiderueshëm i dhuruesve të gjakut. Vetëm në dy orët e para numri i dhuruesve kishte arritur në 24,  numër ky që parashihet të rritet,  bazuar në radhët e pjesëtarëve që prisnin për t’i kaluar procedurat normale të ofruara nga ekipet mjekësore.

Në mesin e dhuruesve të gjakut janë edhe oficerët e lartë të FSK-së, ndër të cilët  është edhe gjeneral major Gëzim Hazrolli,  i cili pa hezitim i është përgjigjur aksionit për të dytën herë brenda këtij viti.  Ai me këtë rast tha: ,,Ashtu siç është edhe misioni i institucionit, përgjigje në raste emergjente, ashtu është edhe motoja jonë: Të dhurojmë gjak për të shpëtuar jetë njerëzish, jetën e qytetarëve tanë në rast nevoje. Bashkëpunimi i MFSK-së dhe FSK-së me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës  është shumë i mirë dhe ne si FSK çmojmë lart misionin e QKTGJK, prandaj edhe aksioneve të tilla u përgjigjemi gjithmonë”.

Si të gjitha aksionet për dhurimin  e gjakut, edhe  ky i sotmi është organizuar në bashkërendim të plotë të Departamentit të Mjekësisë dhe Departamentit për Bashkëpunim Civilo- Ushtarak të MFSK-së me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës.

Aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut, i filluar sot në Ministri, sipas planit do të vazhdojë në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës deri më 11 shtator 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme