Çdo vit, më 4 korrik, Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë. Sivjet, 4 Korriku shënon 241-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Britania e Madhe, në vitin 1776, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike.
Në shenjë respekti për veprimin më të lartë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës, garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën “Miqtë e Amerikës”, për nder të 4 korrikut ditës së Pavarësisë, do të bëjnë ngritjen e Flamurit Amerikan ne sheshin “Bill Clinton”.
Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32 vjeçari Tomas Xheferson.
Njera pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.
“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.
Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Dokumenti tjetër është Kushtetuta. Në Shtetet e Bashkuara 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare, Dita e Pavarësisë.