Një shtet e bën demokratik kushtetuta, ligjet dhe zbatimi i tyre. Prandaj, asgjë nuk e diskrediton retorikën e kaluar politike të Albin Kurtit sesa statusi i tij i djeshëm. Kur ai pohon se Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor e kush integrohet në kuadër të tij jeton mirë, kjo nënkupton se ai i ka trashëguar këto arritje të shtetit të Kosovës. Ngase prej se ka ardhur në pushtet ky nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket parimeve legale fondatore të tij. Kështu krejt sulmet e tij prej opozitari paskan qenë anti-demokratike. Sepse krejt karriera e tij politike është e ngritur edhe kundër infrastrukturës ligjore integruese të këtij shteti. Askush nuk i ka ofenduar më shumë gjjthë përpjekjet e ndjekësve të tij sesa ai vetë, sepse ata paskan protestuar kundër një shteti demokratik. Pra, vetëm për ngritjen e tij politike dhe asgjë më shumë. Kështu atë që dje e satanizonte për qëllime politike, sot e glorifikon për të njëjtat motive.
Po ashtu edhe në kritikën ndaj Vuçiçit se si një diktator nuk mund të kuptojë historinë, sepse epopeja dhe çlirmi as nuk mund të fabrikohen dhe kopjohen, në mënyrë të pavetëdijshme ia paska transmetuar një mësim tjetër edhe vetes. Ngase këto të fundit po ashtu nuk mund të fabrikohen dhe kopjohen as nga të vonuarit e historisë. Hegeli në ligjeratat e tij gjeniale mbi Estetikën ka dëshmuar sesi epopet ndodhin atëherë kur gjithë jeta e një kombi vihet në lëvizje e së cilës i mungon shteti. Pasi të themelohet ky i fundit fillon menaxhimi prozaik i tij. Sepse vendoset sitemi legal. Gjatë epopes heronjtë marrin pjesë drejtpërdrejtë në aksion. Në rastin tonë, sikur se Adem Jashari që me aksionet e tij të drejtpërëdrejta i përndezi energjitë çlirimitare të një kombi. Mirëpo, cuditerisht atëbotë Albin Kurti ishte kundër këtij projekti. Sepse nëpër intervista ndërkombëtare, pasi kishte shpërthyer lufta, ai pohonte se është kundër saj dhe nuk do të kapte kurrë armë në dorë. Pra ai ishte kundër flakërimës së asaj fryme që e krijon epopenë.
E pasi të krijohet shteti mbrojtjen e tij e bëjnë mekanizmat e brendshëm të tij, policia, gjyqësia, etj etj. Politikanët mund të jenë vëzhgues të ngjarjeve nga ndërtesat qeveritare. Apo edhe mund të jenë edhe jashtë vendit duke bërë fushata elektorale për aleatët e tyre ideologjikë, por shteti vepron në mbrojtje të vetvetes për shkak se ai është themeluar dhe ndërtuar. Detyra ndaj i tij i nxit të veprojnë ata që i shërbejnë, sikur se forcat e sigurisë.
Kështu këto arritje tashmë nuk i ka lënë hapësirë tjetër kryeministrit Kurti pos ta lavdërojë republikën e dytë e të dëshmoj se republika e tretë nuk paska qenë asgjë tjetër pos një armë retorike për ngritje personale politike.