Përfaqësuesja e Anglisë si rrallë herë në një fushatë eliminatore, ka pasur grup të vështirë, por jo sa i përket konkurrencës.
Gjatë fushatës eliminatore për “Euro 2020” që po shkon nga fundi, Anglia ka hasur në probleme në tri ndeshjet e Grupit A që i ka luajtur në udhëtim: me Malin e Zi në Podgoricë, me Çekinë në Pragë dhe së fundi me Bullgarinë në Sofje, shkruan sot Koha Ditore.
Lojtarët anglezë janë fyer në baza raciste në Podgoricë e Sofje, ndërkohë në Pragë, tifozët anglezë janë malltretuar e arrestuar nga policia çeke. Edhe në tribuna nuk ishte qetë.
Por, ka një përshtypje se udhëtimi i Anglisë në Kosovë do të jetë krejtësisht ndryshe, krejt miqësor. Në fakt, kjo është paralajmëruar nga grupi i tifozëve të Përfaqësueses “dardanët” dhe nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
“Dardanët” madje kanë premtuar edhe një formë më të gjerë të përkrahjes për anglezët, kur të vizitojnë stadiumin “Fadil Vokrri”, më 17 nëntor.
Kjo ndeshje luhet tri ditë pas asaj nën Plzen, ku Kosova do të takohet me Çekinë. Dy ndeshjet e fundit do të jenë vendimtare për Kosovën në rrugën e saj për kualifikim në “Euro 2020”, por kjo sipas “dardanëve” nuk është arsye të fyhet rivali.
“Respekt të madh do të tregojmë për anglezët. Pas përvojave të këqija që i kanë përjetuar në udhëtime gjatë këtyre eliminatoreve, në Prishtinë do të befasohen me pritjen dhe animin korrekt të tifozëve”, është shprehur Valon Selimi, një prej anëtarëve të tifogrupit “Dardanët”. “Ne asnjëherë nuk e kemi nxitur racizmin dhe një gjë të tillë nuk do ta bëjmë as me Anglinë. Jemi të flaktë pas futbollit dhe e dimë shumë mirë se fyerjet raciste nuk kanë vend në këtë sport. Do të vazhdojmë të jemi shembull për anim korrekt sikurse edhe në ndeshjet e tjera deri më tash që i ka luajtur Kosova”.
Në ndeshjen me Malin e Zi, kur Anglia pati përjetuar fyerje të rënda raciste, “dardanët” patën paralajmëruar pritje të jashtëzakonshme për anglezët.