Gjatë fundjavës mbi vendin tonë do të mbajë mot me vranësira, borë e kthjellime, kurse muaji shkurt fillon me mot të ftohtë dhe me reshje intensive të borës.
Sipas Prishtina Weather të shtunën do të mbajë mot i ftohtë, vranësira dhe reshje të dobëta bore. Ditën e diel, pas mëngjesit me ngrica, pasdite kalimi i një sistemi frontal sjell sërish vranësira e mundësi për reshje të dobëta bore apo edhe shiu.
Të hënën vranësirat do të shtohen e në mbrëmje priten së pari të reshura shiu, që më pas nga e marta me rënie të temperaturave shndërrohen në borë.
Vende-vende reshjet e borës mund të jenë më intensive që formojnë edhe një shtresë të konsiderueshme bore.
Temperaturat do të jenë të ndryshueshme në ditët vijuese. Minimalet zbresin në -1C e -7C, ndërsa maksimalet pas një rënie të shtunën në 1C, nga dita e diel rriten në 4C e 5C, për të pësuar rënie ditën e martë edhe në 1C.
Era do të fryjë kryesisht nga krahu verior, të shtunën edhe mesatare 5-10m/s, e ditën e hënë e lehtë nga juglindja 1-5m/s.
Shtypja atmosferike mbetet lartë mbi vlera normale, me tendencë të rënies më të thellë në fillim të javës së ardhshme.