Dhoma e Monitorimit të Zhurmave dhe pajisjeve për matjen e zhurmës, të instaluara në lokalet e gastronomisë është vënë në funksion nga e hëna, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se të gjitha bizneset që nuk e respektojnë rregulloren në fuqi për nivelin e zhurmës, do të gjobiten nga 1000 deri në 3000 mijë euro.
Sipas tij, me vënien në funksion të këtij sistemi që mundëson monitorimin online, fillimisht do të ketë vërejtje për bizneset e më pas edhe gjoba e nëse nuk përfillet asnjë masë mund edhe të ketë mbyllje të biznesit.
Rama pohoi se Prishtina do të jetë liderë në botë me vënien në funksion të këtij sistemi të monitorimit.
“Kënaqësi të jem këtu dhe me sektorin rajonal të policisë. Poashtu edhe Ariani këtu prej zyrës së gastronomisë është këtu. E kemi kontraktuesin që e ka kryer një punë të mrekullueshme. E kemi edhe rregulloren. Poashtu edhe gjoba për ata që nuk kanë aplikuar. Prej sot fillojmë edhe me gjoba. Është mënyra e vetme për të krijuar një balancë për të gjithë. Edhe për rezidentët edhe për gastronomët”.
“Mund të them se jam posaçërisht tash pas fazave testuese se sistemi punon në mënyrë të sigurt. Dhe se gjobat që u dërgohen restoranteve që i tejkalojnë decibelët janë të menjëhershme. Pra nuk mund të thonë ky polic a inspektor ma bëri gjobën kështu apo ashtu, por do dërgohen automatikisht. Pra këto janë edhe një aspekt operativ. Është një sistem që nuk ekziston në botë. Është diçka e re”.
“Prishtina me këtë sistem është lider në botë. Kjo është ajo që kemi sot për ta prezantuar. 60 decibel sasia e lejuar apo e kufizuar. Nëse e kalon herën e parë nuk ka gjobë, vetëm vërejtje. Vërejtja i shkon me e-mail. Nëse e kalon herën e parë 200 euro. Nëse e kalon herën e dytë 500 euro. Herën e tretë mbyllet për tetë ditë lokali. Pra gjobat do të jenë nga 1000-3000 euro. Ata që nuk kanë leje do të gjobiten”, shtoi ai.
Drejtori i Inspekcionit, Florian Dushi, prezantoi projektin për matjen e ndotjes akustike në lokalet e gastronomisë së Prishtinës.
“Kjo është një prezantim i shkurtë i këtij sistemi. Konsideroj se faze e parë do jetë më e vështirë, por jo edhe më pas”, u shpreh Dushi.
Arian Vrainca, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha se e mbështet këtë sistem, raporton EO.
“Prej tash e tutje për neve është një lehtësim sepse edhe institucionet e kanë mundësinë që të zbatojnë ligjin. Ju bëj thirrje edhe një herë mos të shkojnë deri tek këto dënime”.
LEXONI EDHE: