Gjoba për ndotjen akustike – bizneset ankohen, kërkojnë definim të decibelëve të lejuar e orarit

Prishtinë | 20 Gus 2023 | 09:11 | Nga Hanmie Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se nga e hëna të gjitha lokalet që nuk do t’i respektojnë decibelët e lejuar në kryeqytet do të gjobiten, raporton Ekonomia Online.

Menaxherë të lokaleve në kryeqytet e kanë mirëpritur vendimin, por kërkojnë që të definohen qartë decibelët e lejuar dhe orari i lëshimit të muzikës.

Mentor Berisha, menaxher i lokalit “Metropol”, u shpreh se ndonëse kanë aplikuar para gjashtë muajsh për t’u pajisur me pajisje për matje të decibelëve, ato kushtojnë, dhe se sasia e pajisjeve për lokal bëhet në bazë të metrave katrorë që i posedon lokali në fjalë.

Ai u shpreh se është mirë të rregullohet një herë e përgjithmonë orari fiks deri kur lejohet cfarë sasie e muzikës, zërimit, dhe se deri tani edhe vetë komuna ka bërë tolerime në periudhën e sezonit.

“Ne e kemi marrë informimin për kohë më herët, aplikimin e kemi bërë diku para gjashtë muajsh, është pak shtrenjtë, si fillim kemi pasur problem me aplikim sepse ka qenë pak shtrenjtë pajisja dhe metrat katrorë që i ka definuar Komuna në bazë të metrës, përshembull nëse i ke 200 e ca metra katrorë duhet t’i bësh dy pajisje. Ka qenë kosto pak e shtrenjtë kjo. Edhe është vendim i duhur sepse punojnë me orar, pa orar, ose me orar të zgjatur”.

“Nëse e shikon sezonin ndoshta në sezonë tolerohet pak, edhe vetë komuna ka bërë tolerime. Por është mirë të rregullohet një herë e mirë kjo punë e zhurmës, sidomos në qendër. Ne punojmë deri në 12 të natës dhe sigurisht duhet të kemi kujdes për zërin, sidomos në qendër, këtu ku jemi ne shesh në restorantin Metropol, si ne, si kafiteritë e vogla, si bar-et ku organizohet muzikë live, ka zhurmë gjatë sezonit të verës, edhe atë të dimrit deri në fund të vitit”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se e mikpret vendimin nga ana e kryetarit dhe madje shton se është dashur të mirret edhe më herët.

Një nga sfidat që Berisha parasheh është menaxhimi nga ana e komunës, e megjithatë thotë se kur vihen këto masa duhet marrë parasysh faktin se Prishtina vazhdon të mbetet një prej kryeqendrave të jetës së natë dhe si e tillë duhet të lejohet zërimi i caktuar edhe pas orës 12:00 të mesnatës.

“Por është vendim i duhur prej kryetarit, është dashur më herët të bëhet, por shumë mirë që e kanë bërë. E mirëpresim ne si gastronomë, po flas personalisht, dhe ta shohim tash sa respektohet dhe sa menaxhohet kjo situatë. Sa është sfiduese për komunën ky menaxhim, pasiqë nuk e dinë saktë në cfarë këndi shkon muzika, sa është zëri jashtë, apo është vetëm brenda. Cila pjesë e kryeqytetit ka më shumë, ku duhet të lejohet më shumë, sepse nuk mund ta mbyllim jetën e natës në Prishtinë, muzikën e jetës së natës në Prishtinë kur të bëhet 12:00 për të gjithë”.

“Prishtina njihet për një jetë të natës prej krejt qyteteve në Kosovë e edhe më gjerë, sidomos në Ballkan njihet për një jetë të natës pak më të mirë, dhe normalisht duhet të lejohet një pjesë e caktuar. Nuk e di si e ka planifikuar kryetari fiks saktë por duhet të shpresojmë se do ta menaxhojë mirë”, tha Berisha për EO.

Ndërkaq, Naim Ramizi, menaxheri i lokalit “Poemë”, u shpreh se nuk e konsideron si dëm kushedi sa të madh masën nga ana e komunës, për aq kohë sa nuk i pengon në kryerjen e veprimtarisë së tyre ashtu siç e kanë kryer deri më tani.

Ai shprehi shqetësim në atë se sa do jetë vlera e decibelëve të lejuar sepse ndonëse ai i kishte instaluar dy pajisje për matjen e decibelëve të lejuar.

“Mendoj se nuk është ndonjë dëm i madh nëse këta decibelë na lejojnë të kryejmë veprimtarinë siç e kemi kryer deri tash. Jemi kujdesur edhe ashtu që të kemi kujdesë për njerëz që banojnë këtu, që të mos u shkaktojmë probleme, që mos të ketë ndotje akustike. Ne nuk e dimë ende sa decibelë, dhe si njerëz që jemi marrë me to, ne nuk i dijmë masat e decibelëve, sa mund të jetë zhurma. Dhe mendoj se paraprakisht do duhej ta bënim një test që ne ta dinim ku janë limitet e detektorët janë vendosur, dy të tillë, një para dhe një mbrapa, por nuk e kemi njoftimin e duhur që të fillojmë me ekzekutimin e këtij vendimi”, u shpreh Ramizi

Ramizi tha se edhe në lokalin e tyre ka muzikë live, ata kujdesen që zhurma të mos pengojë asnjë nga banorët përreth.

Ai shprehu edhe dyshimet e tij mbi ate se sa ka mbështetje ligjore vendimi si i tillë, dhe se orari kufizues për ndalje të muzikës nuk ka qenë asnjëherë fiks.

Nuk e di si do të veprojë dhe reagojë, nuk e di sa do të na dëmtojë sepse nuk e di masën e decibelëve, zhurmën e cila neve na lejohet. Si lokale ne në mbrëmje e kemi një muzikë edhe live, por jemi kujdesur që asnjëherë të mos kemi sint, të mos kemi mjete muzikore që krijojnë ndotje akustike më të madhe. Ndejat tona janë kryesisht me akustikë, gitarë dhe besoj se ato nuk kanë krijuar ndotje akustike deri më sot, nuk kemi pasur ankesa. Tash e pas nuk e di”.

“Është edhe një çështje tjetër, unë nuk jam ekspert i asaj, por me sa kam dëgjuar nuk e di sa ka mbështetje në legjislacion kjo masë dhe se sa do të gjejë mbështetje. Domethënë secili veprim duhet ta ketë një mbështetje ligjore diku. Unë nuk e di nëse ky veprim ka një bazë dhe një mbështetje ligjore diku”, tha Ramizi.

I pyetur nëse ua kanë ndalur ndonjëherë muzikën inspektoriati i komunës, menaxheri i “Poemës” tha se në dy vitet e fundit mund të ketë ndodhur një ose dy herë.

“Ka ndodhur shkaku i orarit, sepse nuk ka qenë orari i definuar. Dikur ka qenë në dhjetë dikur ka qenë në 11, pra edhe kjo puna e orareve nuk ka qenë e definuar asnjëherë, domethënë pas pandemisë kanë ndërruar gjërat, nuk e kemi pasur të qartë as oraret as limitet. Për dy vitet e fundit të na e ndalin muzikën ka ndodhur ndoshta një herë, dy”, u shpreh Ramizi, përcjell EO.

Të ngjashme