Kosova nuk është çliruar nga fuqia e shqiptarëve, po nga NATO-ja dhe për këtë shkak, vazhdon të jetë e papranuar si shtet nga OKB-ja, nga BE-ja, nga OSBE-ja e madje edhe nga vetë NATO-ja.
Bile, tashmë janë hapur edhe projeksione ogurzeza për të ardhmen e saj, që mund të shkojnë edhe në drejtim të zhbërjes së saj si shtet.
E dyta, edhe demokracia është imponuar nga zhvillimet gjeopolitike në Europën Lindore, e jo si një proces i brendshëm i shoqërive shqiptare a i kombit shqiptar.
Bile, dekontaminimi i elitave nga ideologjia marksiste dhe adresimi ligjor i krimeve të komunizmit, nuk kanë ndodhur ende, si ka ndodhur në shtetet e tjera të ish bllokut komunist.
Pra, kombi shqiptar nuk i ka realizuar me fuqinë e vet projektet, për të cilat krekosemi. Meqë nuk i ka realizuar me fuqinë e vet, ka mbetur në pozitë neokoloniale, veçmas Kosova, po edhe në pozitë inferiore si komb, në përmasat europiane.
Nga një pozicion dhe konfuzion i tillë, kombi ynë as nuk ka arritur që të formojë një mendim të përpunuar për atë që ka ndodhur.
Prandaj, edhe mund të thuhet se kriza më e madhe aktuale e neve shqiptarëve si komb është kriza e mendimit.