Kryetari i KMDLNJ-së (Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut) Bexhet Shala së bashku me bashkëpunëtorë vizituan sot Inspektoratin Policor të Kosovës ku u takuan me Kryeshefin Ekzekutiv të IPK-së Hilmi Mehmeti.
Ky takim u realizua në vazhdën e fuqizimit të bashkëpunimit në mes KMDLNJ-së dhe IPK-së duke u fokusuar në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të vendit.
KMDLNJ në vazhdimësi përcjellë informata dhe shqetësimet e qytetarëve në raport me shkeljet eventuale dhe tejkalimet e autorizimeve nga zyrtarët policorë dhe të njëjtit u shprehën të kënaqur edhe me informatat kthyese që marrin nga IPK-ja në raport me veprimet ligjore që ndërmerren në të gjitha rastet/informatat që përcillen nga KMDLNJ-ja.
Përveç tjerash, në këtë takim u diskutua edhe për përmirësimin e kushteve të punës në IPK si parakusht për një punë të suksesshme duke potencuar në mënyrë të veçantë edhe nevojën që IPK të dislokohet me ndonjë objekt në qendër të Prishtinës gjë që do të lehtësonte edhe qasjen e qytetarëve te ky mekanizëm i rëndësishëm për fuqizimin e integritetit policor.
Si shumë pozitive dhe rritje të transparencës dhe llogaridhënies të Inspektoratit Policor të Kosovës, KMDLNj e vlerësoi edhe faktin se të gjitha palët që trajtohen nga IPK-ja, informohen me kohë për ecurinë e shqyrtimit të ankesave të tyre.