Furnizimi me ujë i kateve të larta në Lipjan, sfidë për ujësjellësin

Prishtinë | 26 Dhj 2018 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

KUR “Prishtina”, njësia në Lipjan, ka publikuar raportin vjetor të punës, ndërkaq si sfidë e kësaj kompanie vazhdon të mbetej mosfurnizimi i rregullt me ujë të pijshëm për banorët nëpër banesa të larta kolektive. Gjatë këtij viti kjo kompani është përballur me humbje të mëdha të ujit dhe me keqpërdorim të tij deri në 58 për qind.

Sipas kësaj kompanie, që nga muaji gusht ka rënë niveli i ujit të pijshëm te sistemi i pompimit, ndërkohë banorët nëpër kate të larta banesore përballen me mungesë të ujit. Kjo kompani ka gjithsej 9 mijë e 500 konsumatorë, ndërkohë gjatë këtij viti ka prodhuar 2 milionë e 500 metra kub, ndërkaq janë faturuar vetëm një milion e 21 metra kub, derisa pjesa tjetër e ujit ka humbur dhe është keqpërdorur, shkruan sot Koha Ditore.

“Uji i humbur është një milion e 450 metra kub apo rreth 58 për qind. Nga faturimi bazë kemi rreth 670 mijë euro, ndërkaq të hyrat janë arkëtuar diku rreth 542 mijë euro, me përqindje rreth 81 për qind. Faturimi nuk është bërë për ujin e humbur. Konsumatorët janë futur në borxhe deri në 2 milionë e 381 mijë euro ndaj kompanisë. 192 konsumatorë janë shkyçur nga rrjeti i ujësjellësit, ndërkaq 158 lëndë janë dërguar te përmbaruesit me një shumë të borxheve prej 79 mijë eurosh”, thuhet, midis të tjerash, në raport.

Rreth raportit vjetor të kësaj kompanie është raportuar në një pikë të veçantë para këshilltarëve të KK-së të hënën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme