Në Fushë-Kosovë u bë përurimi i shtatores së Komandantit Legjendar, “Adem Jashari”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, tha se figura e Adem Jasharit është epike dhe e përjetësuar për lirinë e Kosovës.
Berisha njoftoi se parku i qytetit të Fushë-Kosovës do të mbajë emrin “Adem Jashari”.
“Ky është monument dhe kur e zbulojmë e shohim se këtu është përjetësuar figura epike dhe më emblematike e popullit shqiptar. Këto është përjetësuar paqja dhe liria e Kosovës. Monumenti i Adem Jasharit është në oborrin e një shkollë dhe parkun i cili do ta marr emrin e komandantit. Ne do të bëjmë çmos që ta ruajmë këtë ambient dhe këtë figurë dhe do ta dërgojmë përpara deri sa të jemi të bashkuar kudo në Ballkan. Lavdi të gjithëve atyre që ranë për ditën e sotme”, u shpreh Berisha.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, falënderoi qytetin e Fushë-Kosovës që kanë kontribuar në vendosjen e shtatores së Adem Jasharit.
“Urime 28 nëntori, festat tonë të nëntorit të lavdisë. Edhe ne të gjitha komunat por edhe si familje kudo që jemi, jemi duke u solidarizuar me vëllezërit tanë në Shqipëri. Do të jemi bashkë gjithmonë në çdo fatkeqësi dhe në çdo festë. Falënderoj të gjithë që kanë kontribuar që shtatorja e Adem Jasharit të jetë në qytetin tuaj”, tha Jashari.
Përfaqësuesi i Shoqatave të dala nga lufta në Fushë Kosovë, Xhevdet Qeriqi, tha se është nder që shtatorja e Adem Jasharit të vendoset në Fushë-Kosovë.
“Ne si shoqata të dala nga lufta e kemi marrë iniciativën që shtatoren e Adem Jasharit ta vendosim në Fushë-Kosovë. Është nder dhe respekt, lavdi për komandantin”, ka thënë Qeriqi, raporton Ekonomia Online.