Javën e ardhshme nisin punimet në kompleksin memorial “Adem Jashari”

Prishtinë | 21 Dhj 2021 | 13:37 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Javën e ardhshme do të nisin punimet brenda kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz, raporton Ekonomia Online.

Kështu u bë e ditur gjatë takimit që ka mbajtur Komiteti Ndërministror për koordinimin e procesit.

Komiteti ka bërë përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryeministri Albin Kurti tha se puna që do të bëhet në këtë kompleks do të jetë me standarde kombëtare e ndërkombëtare.

“Nga themelimi i këtij komiteti kemi ecur me hapa të sigurt dhe veprime konkretet. Kemi vlerësuar gjendjen e ndërtesave brenda kompleksit tani po nisim ndërhyrjet emergjente. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë, tani po e themelojmë komisionin e ekspertëve. Kemi nisur vlerësimet e para për çështjet pronësore brenda kompleksit ndërsa nga fillimi i viti të ardhshëm fokusi ynë do të jetë projekti i madh, pra masterplani për kompleksin memorial”.

“Gjatë mbledhjes së kaluar kemi miratuar raportin përfundimtar të vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit, raporti është hartuar nga inxhinierët dhe profesorët e fakultetit të ndërtimtarisë ndërkaq kjo është hera e parë që është realizuar një vlerësim i tillë profesional. Pas konstatimit të gjendjes kemi ndërmarr hapat e nevojshme. Javën që vjen nisim ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesën e kompleksit”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se në afatin optimal do të nisin punimet për të jetësuar projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Ne i kemi mobilizuar të gjitha kapacitet tona dhe në këtë rrugëtim nuk do të kursejmë asgjë nga vetja jonë. Hartimi i projektit dhe nisja e punimeve brenda kompleksit janë detyrat ligjore të këtij komiteti dhe njëherit edhe detyrimi ynë moral ndaj familjes Jashari. Si kryeministër zotohem se bashkë me Qeverinë tonë do të bëjmë më të mirën e mundshme që në afatin më optimal të nisim punimet për të jetësuar projektin e madh kombëtar, masterplanin e kompleksit memorial Adem Jashari”, tha Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit:

Të nderuar anëtarë të Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz,

Të nderuar pjesëtarë të medias,

Qytetarë të respektuar,

Zonja dhe Zotërinj,

Mirëdita dhe mirë se erdhët në mbledhjet e tretë të Komitetit për Kompleksin Memorial Adem Jashari.

Nga themelimi i këtij komiteti kemi ecur me hapa të sigurt dhe veprime konkrete. Kemi vlerësuar gjendjen e ndërtesave brenda kompleksit, tani po nisim ndërhyrjet emergjente. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë, tani po e themelojmë Komisionin e Ekspertëve. Kemi nisur vlerësimet e para për çështjet pronësore brenda kompleksit, ndërsa nga fillimi i vitit të ardhshëm fokusi ynë do të jetë projekti i madh, pra master-plani për kompleksin memorial.

Gjatë mbledhjes së kaluar kemi miratuar raportin përfundimtar të vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit. Raporti është hartuar nga inxhinierët dhe profesorët e Fakultetit të Ndërtimtarisë, ndërkaq kjo është hera e parë që është realizuar një vlerësim i tillë profesional. Pas konstatimit të gjendjes kemi ndërmarrë hapat e nevojshme. Javën që vjen nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesën e kompleksit. Për detajet e veprimeve të fazës emergjente do të flasë zëvendësministrja e Kulturës,  Rinisë dhe Sportit ndërsa bashkë do të vendosim për veprimet në vijim.

Në përputhje me vendimin e mbledhjes së kaluar, sot do të diskutojmë dhe vendosim për themelimin e Komisionit të Ekspertëve. Nga lista e gjerë e miratuar në këtë Komitet, tani kemi nëntë emra ekspertësh, vendorë dhe të jashtëm. Në momentin e themelimit, Komisioni do të jetë krahu profesional i Komitetit, duke u siguruar që puna dhe vendimmarrja jonë bëhet në përputhje me të gjitha standardet profesionale, ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Qeveria e Republikës së Kosovës është duke e trajtuar me prioritet të lartë dhe kujdes të veçantë këtë proces. Ne i kemi mobilizuar të gjitha kapacitetet tona dhe në këtë rrugëtim nuk do të kursejmë asgjë nga vetja jonë. Hartimi i projektit dhe nisja e punimeve brenda Kompleksit janë detyrat ligjore të këtij Komiteti, por njëherit edhe detyrimi ynë moral ndaj familjes Jashari. Si Kryeministër i Republikës zotohem që bashkë me qeverinë tonë do të bëjmë më të mirën e mundshme që në afatin më optimal të nisin punimet për të jetësuar projektin e madh kombëtar, master-planin e Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Më lejoni në fund që në emër të të gjithë anëtarëve t’ju uroj mirëseardhje z. Fadil Nura, i cili si kryetar i ri i komunës së Skenderajt i bashkohet përbërjes së Komitetit, ndërkaq z. Bekim Jashari do të vazhdojë të jetë anëtar i Komitetit, nga tani e tutje si përfaqësues i familjes Jashari.

Duke ju falënderuar të gjithëve për punën dhe përkushtimin deri tani, ju ftoj që të vazhdojmë në këtë frymë edhe më tutje, sidomos tani që me nisjen e një viti të ri, Komiteti do të ketë në agjendë master planin për kompleksin memorial. Viti 2022 do të jetë vendimtar për të siguruar ecuri pozitive, andaj edhe nevoja për mobilizim e angazhim maksimal.

Të ngjashme